Lajme

Zhduket Marrëveshja për të Pagjeturit e luftës – komisionet s’u takuan asnjëherë


Foto: Albanian Post.

Deklarata për Personat e Pagjetur, e cila ishte miratuar më 2 maj nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, si pjesë e një dialogu të nivelit të lartë politik, kishte sjell shpresë të re për zbatimin e marrëveshjes, pasi që palëve iu është lejuar qasje në të gjitha dokumentet në posedim të tyre, përfshirë ato të shënuara si ‘konfidenciale’.

Por, si të tjerat marrëveshje, edhe marrëveshja e majit mes Kosovës dhe Serbisë mbeti vetëm në letër.

Në organizatat të cilat e përcjellin punën për Personat e Zhdukur, rezulton që në praktikë kjo marrëveshje s’është duke gjetur zbatim.

“S’kemi parë asnjë progres”

Bekim Blakaj, nga Fondi për të Drejtën Humanitare të Kosovës, në një bisedë për Albanian Post thotë se s’është parë asnjë progres në zbatimin e kësaj marrëveshje.

Teksa, thotë se nuk e di arsyen pse një gjë e tillë ndodh vazhdimisht sa herë që një marrëveshje sjell shpresë për progres në këtë drejtim.

“Ditëve të fundit sa kam kuptuar ka pasur zhvarrime në disa lokacione, mirëpo nuk kemi të dhëna të sakta”.

“Kur bëhet fjalë për identifikimin e personave që janë të raportuar si të zhdukur nuk kemi parë asnjë progres prej nënshkrimit, respektivisht dakordimit të asaj marrëveshje. Nuk e di ku është saktësisht problemi edhe pse ishim deklaruar optimistë që pas arritjes së marrëveshjes së majit në praktikë nuk kemi parë avancim”, thotë Blakaj për Albanian Post.

Një proces i tillë mbahet gjithmonë i mbyllur për organizata si Fondi për të Drejtën Humanitare të Kosovës.

Foto nga arkivi.

Madje, informacione s’marrin asnjëherë edhe kur punë kryhen nga terreni.

“I gjithë procesi nuk është transparent dhe neve nuk na informojnë për punën që është duke u bërë në terren”.

Sipas Blakaj, njëri në problemet që e shkakton moszbatimin e marrëveshjeve mes palëve është edhe mungesa e vullnetit politik.

“Është shumë e vështirë ta gjejmë problemin ku është. Por, besoj që nuk ka pasur ndonjë vullnet politik dhe marrëveshja ka qenë vetëm në letër dhe s’ka pasur ndonjë rezultat. Në të kaluarën ka pasur një lloj stagnimi edhe ajo për shkaqe politike”.

Ai thotë se pas dështimit tash e sa kohë, optimizmi që kanë pasur për përmirësim në këtë drejtim ka humbur.

“Tash për tash nuk jemi shumë optimistë që do të ketë progres në këtë fushë. Derisa i kam dëgjuar edhe disa deklarata të përfaqësuesve të asociacioneve të familjeve të zhdukur, s’po tingëllojnë shumë pozitiv”.

“Kemi gjetur mbetje skeletore në Gjakovë – akoma jemi duke punuar”

Antropologu në Institutin e Mjekësisë Ligjore, Ditor Haliti, i kontaktuar nga Albanian Post rreth numrit të trupave të personave të zhdukur që janë gjetur gjatë këtij viti ka pohuar se prej shtatë trupave që janë gjetur, pesë janë të periudhës së luftës.

“Gjatë aktiviteteve gërmuese dhe zhvarrimeve në 2023 janë gjetur mbetjet kockore të 7 individëve, prej të cilëve 5 janë të periudhës së luftës, ndërsa 2 janë në vlerësim nëse i takojnë kohës së luftës”.

Dyshimet e Blakajt, se janë duke vazhduar gërmime në një pjesë i konfirmon Haliti.

Ai thotë se aktualisht janë duke u bërë punime në Gjakovë, ku kanë gjetur mbetje skeletore të personave të zhdukur.

“Për momentin jemi duke punuar në lokacionin Bishtazhin të Gjakovës, ku kemi gjetur mbetje skeletore të personave të zhdukur nga lufta, mirëpo duke qenë se ende jemi duke punuar nuk është bërë përcaktimi i numrit minimal të personave në këtë lokacion”, thotë Haliti për Albanian Post.

Gërmimet në Gjakovë.

“Politika e Kosovës dhe Serbisë, lojë e shahut – komisionet s’janë takuar asnjëherë”

Bajram Qerkini, drejtues i shoqatës “Zëri i Prindërve” që merret me rastet e personave të zhdukur në luftë, në një bisedë për Albanain Post thotë se për dy vjet s’ka parë asnjë progres në këtë drejtim.

Ai bën të ditur se kryesia e Komisionit për Persona të Zhdukur, deri tani s’është takuar asnjëherë me palën serbe.

“Procesi për personat të pagjetur komplet ka stagnuar. Çështja e Brukselit dhe çështja e Ohrit kanë mbetur vetëm në letra, për shkaqe të politikës”.

Të zhgënjyer dhe të shqetësuar, vazhdojnë të mbesin familjarët që nga përfundimi i luftës në Kosovë.

Muzeu dhe ekspozita për të zhdukurit i mbajtur në dhjetor të 2021

“Asnjëherë s’është takuar kryesia për shkak të Velko Odaloviç-it, për të cilin është thënë se është kriminel dhe kështu që nuk janë takuar palët për zbardhjen e fatit të pagjetur. Është mbetur peng për ne familjarëve që vazhdojmë të jemi të shqetësuar dhe të zhgënjyer për atë që neve na është premtuar dhe për atë çfarë është realizuar”.

Qerkini, politikën e Kosovës dhe Serbisë e quan “lojë të shahut”.

“Ndryshime s’kemi parë, vetëm lojëra të shahut. Rreth personave të pagjetur asnjë fjalë prej premtimi dhe të gjitha atyre që kemi pritur se do të realizohen, asnjë gjë më e vogla nuk është realizuar tash e dy vjet”.

Sipas tij, asnjëherë s’do të ketë progres në këtë proces pa presion ndërkombëtar.

“Pa presion ndërkombëtar, as Beogradi dhe as Kosova s’do të gjejnë gjuhë të përbashkët, tensionin e kanë dërguar aq larg, saqë çështja e personave të 1 mijë e 600 personave të zhdukur është e lanë pa progres”.

Deklarata 2 majit mes Kurtit dhe Vuçiç-it për Personat e Zhdukur

Deklarata e nënshkruar mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiç me 2 maj i ka gjithsej nëntë pika.

Në deklaratë, theksohet qartë se deklarata ndjek “mirëkuptimin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq për personat e Zhdukur”, i cili po ashtu përfshin edhe “personat e zhdukur me forcërisht”.

“Duke theksuar rëndësinë e zgjidhjes së fatit të personave të zhdukur të mbetur për t’i afruar vuajtjet e të dashurve të tyre dhe për të nxitur pajtimin dhe paqen e qëndrueshme. Duke pasur parasysh se kjo Deklaratë ndjek mirëkuptimin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq për Personat e Zhdukur, i cili përfshin personat e zhdukur me forcë…”.

Tutje, thuhet se të gjitha kategoritë e Personave të Zhdukur do të trajtohen me prioritet të barabartë, dhe se çështjet e personave të Zhdukur do të njihen si çështje humanitare.

“Duke pranuar punën e rëndësishme të bërë përmes Grupit të Punës për Personat e Zhdukur, i kryesuar nga KNKK. Inkurajimi i bashkëpunimit me aktorë të tjerë relevantë në fushën e Personave të Zhdukur, në veçanti me Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP). Duke e njohur çështjen e Personave të Zhdukur si çështje humanitare…”.

Pamje nga takimi në mes të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, me Përfaqësuesit e BE-së, Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak.

Sipas deklaratës, Kosova dhe Serbia do të angazhohen së bashku për të siguruar “zbatimin e plotë të angazhimeve përkatëse në fushën e Personave të Zhdukur”.

“Për të siguruar akses të plotë në informacione të besueshme dhe të sakta që ndihmojnë në gjetjen dhe identifikimin e personave të humbur të mbetur brenda periudhës kohore 1 janar 1998 – 31 dhjetor 2000…”, vazhdon marrëveshja.

“Kjo përfshin të gjitha materialet, shënimet, urdhrat, dokumentet, videot, regjistrimet audio dhe çdo dokument tjetër duke përfshirë ato me status të klasifikuar, nën zotërimin e institucioneve të të dyja palëve, të rëndësishme për këtë kontekst, të vëmë në dispozicion të gjithë dokumentacionin vendas dhe ndërkombëtar me rëndësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur, për të përdorur të dhënat satelitore, LIDAR dhe teknologji të tjera të avancuara në zbulimin e varrezave masive”.

“Mundësimin dhe inkurajimin e angazhimit aktiv të familjeve të Personave të Zhdukur në procesin e identifikimit të fateve të tyre, për të siguruar në mënyrë adekuate të drejtat dhe nevojat adresuar familjeve të personave të zhdukur”.

Deklarata përfshinte edhe krijimin dhe bashkëpunimin mes një Komisioni të Përbashkët të kryesuar nga Bashkimi Evropian dhe të vëzhguar nga KNKK me synimin për të mbështetur përpjekjet për të zgjidhur fatin e personave të zhdukur.

E po ashtu edhe monitorimin dhe mbështetjen e punës dhe progresin e bërë nga Grupi Punues për Personat e Zhdukur përmes Komisionit të Përbashkët.

Në këtë kontekst, palët do të rishikonin dhe përditësonin termat e referencës dhe kuadrin e Përgjithshëm të Grupit të Punës.

Çështja e të zhdukurve përmes marrëveshjeve

Grupi i përbashkët punues për personat e zhdukur është themeluar në vitin 2004, nën kujdesin e përfaqësuesit special për Kosovën të sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara (OKB).

Mirëpo, komisionet për persona të zhdukur të Qeverisë së Kosovës dhe të Serbisë kanë akuzuar më së shumti njëri-tjetrin gjatë viteve të fundit dhe nuk ka pasur bashkëpunim konkret në kuadër të grupit të përbashkët punues në terren.

Muzeu dhe ekspozita për të zhdukurit i mbajtur në dhjetor të 2021.

Çështja e personave të zhdukur është ngritur edhe në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në vitin 2020, por që nuk ka pasur ndonjë progres konkret.

Gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-1999 rreth 13 mijë njerëz nga të gjitha bashkësitë etnike u vranë, mbi 800 mijë u zhvendosën dhe rreth 1 mijë e 600 janë të zhdukur.

Qindra trupa të shqiptarëve të vrarë të Kosovës janë gjetur në varreza masive në Serbi.

Deri më tani nga Serbia në Kosovë janë kthyer rreth 1 mijë mbetje mortore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore