Stil

Zgjidhni veshje të zeza: Largojnë rrezet e dëmshme dhe janë gjithnjë në modë


Ilustrim

Rrobat e bardha vishen shpesh në verë, kjo për shkak se është një mendim i zakonshëm që rrobat e zeza nuk duhet të vishen kurrë në ditët e nxehta. A është një mit apo e zeza tërheq vërtet nxehtësinë?

Nëse dëgjoni mendimet e ekspertëve, ata do t’ju thonë se duhet të vishni rroba më të errëta dhe se ka një arsye serioze për këtë.

Përkatësisht, rrobat më të errëta apo të zeza e mbrojnë lëkurën tonë nga djegiet e mundshme, pra nga rrezet e dëmshme Ultra Violet.

Ngjyrat më të errëta mund të thithin rrezet, por ato reflektojnë infra të kuqe dhe kështu mbrojnë më mirë lëkurën.

Besojeni ose jo, nën veshjet më të errëta, temperatura e trupit shpërndahet më lehtë, veçanërisht kur fryn erë, e cila mund ta ‘largojë’ nxehtësinë e grumbulluar përmes veshjeve më të gjera.

Materialet e bardha, nga ana tjetër, reflektojnë nxehtësinë e trupit nga brenda, që do të thotë se trupi nxehet shtesë. Ato gjithashtu lejojnë që nxehtësia të kalojë më lehtë nëpër rroba, kështu që trupi ynë nxehet më shpejt.

Pavarësisht nëse zgjidhni të bardhën apo të zezën, një rregull është universal – zgjidhni të përditshmet, më të gjera dhe luhatëse për verën dhe shmangni rrobat e ngushta dhe të pakëndshme. Sa më të ngushta të jenë rrobat, aq më shumë nxehtësia grumbullohet dhe njerëzit djersiten më shumë sepse trupi përpiqet të ftohet.

Edhe pse ngjyrat dhe nuancat e tyre të ndezura janë në modë, nëse nuk jeni adhuruese e ngjyrave, kombinimet e zeza janë një zgjedhje me të cilën nuk gabon. Edhe pse e zeza prej kohësh është trajtuar si një ngjyrë e dimrit, kombinimet e zeza verore janë të veçanta dhe unike.

Në këtë kuptim, ia vlen të investosh në kombinime elegante të zeza. Në sfilatat e këtij sezoni ndër të tjera shtëpia e modës “Versace” prezantoi një sërë veshjesh të zeza.

Është një ngjyrë klasike, dhe në të njëjtën kohë trend në varësi të mënyrës sesi e kombinoni. Avantazhi i kësaj ngjyre është se jeni gjithmonë e kuruar dhe se shpesh mund të kombinoni copat e zeza pa u dukur se po përsëriteni. Thjesht, duhet të zgjidhni këtë ngjyrë kur nuk dini çfarë të vishni dhe dëshironi të dukeni të kuruara.

Kur flasim për kombinime, fustanet e zinj dhe copat e zeza prej liri rekomandohen për kombinime të përditshme. Për edicionin e mbrëmjes janë fustanet mini të zi të kombinuar me sandale të zeza me taka. Çfarëdo që të zgjidhni nuk do të gaboni sepse është një ngjyrë gjithmonë e pëlqyer dhe shumë e lehtë për t’u kombinuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore