Shqipëria

Zgjidhen në Kuvend emrat e rinj nga radhët e avokatëve për KLP-në dhe KLGJ-në


Në rendin e ditës në seancën e kësaj të enjteje të 25 korrikut janë miratuar anëtarët e rinj nga radhët e avokatëve që do të ulen në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Shumica absolute nuk u arrit, por kandidatët e kësaj liste konsiderohen të zgjedhur.

Nga shorti u zgjodhën kandidatët Bledar Bajri dhe Albens Tabaku për Këshillin e Lartë Gjyqësor.

Kurse Erind Mërkuri dhe Erind Gërmenji për Këshillin e Lartë të Prokurorisë. T

ë katër kandidatët vijnë nga një karrierë në profesionin e avokatit dhe si lektorë të jurisprudencës.

Sot dhe nesër Kuvend, kalon për votim drafti i dakordësuar PS-PD për Reformën Zgjedhore

Teksa sot dhe nesër do të mbahet seanca e fundit plenare për këtë sesion parlamentar, do të kalojë për votim dhe drafti i dakordësuar mes Partisë Demokratike  dhe Partisë Socialiste për Reformën Zgjedhore.

Në seancën e sotme pritet të kalojnë në sërë projektligjesh.

Megjithatë, pritet që shumë çështje të shkaktojnë debat në sallën e Kuvendit.

Komisioni parlamentar i Ligjeve ka miratuar një draft të dakordësuar mes Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike, sa i takon Reformës Zgjedhore, ku specifikohen vota e diasporës, listat zgjedhore dhe aspekte të tjera, si herësi për kuotat e një mandati parlamentar.

Megjithatë, deputetët Enkelejd Alibeaj dhe Dashnor Sula, nga radhët e demokratëve, nuk kanë qenë dakord dhe kanë votuar kundër kalimit të këtij drafti për votim në Parlament.

Alibeaj ka votuar kundër edhe për votën e diasporës, por sqaroi se ky qëndrim kishte lidhje me faktin se drafti i propozuar i trajtonte shqiptarët, të cilët jetojnë jashtë kufijve dhe me të drejtë vote, si “kavie”.

Alibeaj në tërësi e konsideroi draftin si një pazar politik mes Edi Ramës dhe Sali Berishës.

Në anën tjetër Sula ka shprehur kundërshti të forta lidhur me listat e kandidatëve, pasi në variantin e dakordësuar dhe miratuar, 2/3 e listës ishin të hapura, por 1/3, ishte e pandryshuar, çka do të thotë se emrat e parë që do të renditen në listat sipas qarqeve ishin të pandryshuar, pavarësisht votave preferenciale të emrave që renditen në atë që konsiderohet si pjesa e hapur e listës.

Sula tha gjatë mbledhjes se mënyra se si po miratoheshin këto ndryshime i kujtonin vitin 2008, kohë kur brenda natës u miratuan ndryshimet Kushtetuese.

Çfarë përmban drafti?

Partia Socialiste dhe ajo Demokratike kanë arritur parimisht dakordësinë për një sërë çështjesh sa i takon Reformës Zgjedhore, duke përfshirë edhe listat pjesërisht të hapura, vota e diasporës, apo edhe herësi për fitimin e mandatit.

Teksa në Komisionin e Ligjeve po diskutohet pikërisht lidhur me këtë aspekt tejet të rëndësishëm të zgjedhjeve 2025, është publikuar edhe një draft paraprak, i cili përshkruan ndryshimet e reja ligjore për zgjedhjet.

Vota e emigrantëve, ka qenë prej kohësh në qendër të vëmendjes dhe sa duket, ajo do të mundësohet më në fund në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Sipas draftit, “të drejtën e votës nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë e ka çdo shtetas shqiptar me të drejtë vote që për arsye banimi, punësimi, studimi, kryerje të detyrave ushtarake apo arsye shëndetësore ndodhet jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë në datën e zgjedhjeve.

Edhe një zgjedhës që ndodhet jashtë vendit dhe dëshiron që të votojë në zgjedhjet e radhës, për Kuvendin duhet të regjistrohet në listën e zgjedhësve jashtë vendit. Lista e zgjedhësve që votojnë nga jashtë territorit, mjafton që të aplikojë për t’u regjistruar dhe mund ta ushtrojë të drejtën e tij për të votuar.

Vota e çdo shqiptari nga jashtë do të dërgohet me postë në adresën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe aty do të përpunohet. Duhet kuptuar megjithatë cila do të jetë kuota e caktuar për këto vota dhe në cilën zonë zgjedhore do të llogariten.

Listat, nga sa kuptohet, do të jenë të ndara në dy pjesë, ku 1/3 do të jenë lista të mbyllura dhe 2/3 do të jenë të hapura, sipas propozimit të Partisë Socialiste. Demokratët kishin kërkuar 25% të listave të mbyllura dhe 75% lista të hapura.

Por, me argumentin se do të kishte vështirësi më pas për respektimin e kuotave gjinore, është dakordësuar propozimi socialist.

Një aspekt tejet me rëndësi, është edhe herësi i zgjedhjet dhe marrjes së mandatit, i cili sipas draftit propozohet të jetë 7 mijë vota.

Kjo megjithatë është një pikë tejet e kontestuar dhe palët mund të kenë përplasje rreth saj ende, pasi përllogaritja e herësit bëhet në bazë të qarqeve, por me kuadrin e ri ligjor, pretendohet të ketë një dispozitë, e cila parasheh kufirin e pragut të 7 mijë votave, për të thyer herësin.

Në listat e hapura ndërkohë, kandidatët e listës shumëemërore do të renditen në bazë të numrit të votave dhe vetëm në rast barazie tërësore, atëherë do të jetë shorti, ai i cili vendos kush merr mandatin e deputetit.

Çfarë thuhet në nenin përkatës me ndryshimet e propozuara?

“Neni 67
Lista e kandidatëve të partive dhe koalicioneve të partive politike

1-Partia politike ose koalicioni zgjedhor, në kuptim të nenit 65, që është regjistruar në KQZ si subjekt zgjedhor për zgjedhjet në Kuvend, depoziton në KQZ për çdo zonë zgjedhore, jo më vonë se 50 ditë para datës së zgjedhjeve:
a) listën shumëemërore të fiksuar të kandidatëve; dhe
b) listën shumëemërore të kandidatëve që i nënshtrohen votimit parapëlqyes.

2-Emrat në listën shumëemërore të fiksuar të kandidatëve të subjektit zgjedhor paraqiten të renditura sipas rendit shifror, duke filluar nga numri një. Për koalicionet përbri emrit të kandidatit shënohet cilës parti i përket kandidati. Numri i përgjithshëm i kandidatëve në listën e fiksuar është i barabartë me numrin e mandateve për cdo zonë zgjedhore pjestuar për tre. Në rast se nga ky pjestim nuk rezulton numër i plotë mandatesh atëherë në rast se presja dhjetore si pasojë e pjestimit është e barabartë ose më e madhe se 0,5 lista përmbyllet me numrin e plotë pasrendës, ndërsa kur si pasojë e pjestimit rezulton presja dhjetore më e vogël se 0,5 lista shumëemërore e fiksuar e kandidatëve mbyllet me numrin e plotë pararendës.

3-Lista shumëemërore e kandidatëve që i nënshtrohen votimit parapëlqyes nga zgjedhësit është e barabartë me numrin e mandateve për çdo zonë zgjedhore. Renditja e kandidatëve bëhet sipas rendit alfabetik të mbiemrit për secilin prej tyre.

4-Kandidati për deputet, i regjistruar në një listë shumemërore në një zonë zgjedhore, nuk mund të regjistrohet si i tillë për një zonë zgjedhore tjetër, qoftë edhe për llogari të një partie apo koalicioni tjetër dhe as si i propozuar nga një grup zgjedhësish.

5-Kandidati për deputet, i rregjistruar në listën e fiksuar të partisë politike apo koalicionit nuk mund të jetë njëkohësisht edhe në listën shumëemërore të kandidatëve për deputetë që i nënshtrohen votimit parapëlqyes.

6-Për çdo zonë zgjedhore në zgjedhjet për Kuvendin një çdo tre emra të kandidatëve të listës së fiksuar i përket gjinisë më pak të përfaqësuar dhe një në çdo tre emra të listës shumëemërore që i nënshtrohet votimit parapëlqyes duhet t’i përkasë gjinisë më pak të përfaqësuar.

7-Për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore, kandidati për kryetar të bashkisë dhe lista e kandidatëve për këshillat vendorë regjistrohen në KZAZ-në që mbulon njësinë e qeverisjes vendore brenda afatit të përcaktuar në këtë pikë. KZAZ-ja dorëzon një kopje të listës në KQZ brenda 48 orëve. Kandidati për kryetar të bashkisë dhe lista e kandidatëve për këshillat vendorë depozitohet në KQZ në rastet kur territori i njësisë së qeverisjes vendore nuk mbulohet nga një KZAZ e vetme.

8-Kandidati për kryetar bashkie apo për këshillin e bashkisë nuk mund të regjistrohet si i tillë për një zonë zgjedhore tjetër, qoftë edhe për llogari të një partie apo koalicioni tjetër dhe as si i propozuar nga një grup zgjedhësish.

9-Në zgjedhjet për këshillat bashkiakë një në çdo dy emra të njëpasnjëshëm në renditje të kandidatëve të subjekteve zgjedhore duhet t’i përkasë së njëjtës gjini.

10-Në rast mospërmbushjeje të njërit prej kushteve të parashikuara në këtë nen, në lidhje me përbërjen e listës shumemërore KQZ-ja zbaton sanksionet e parashikuara në nenin 175 të këtij Kodi.”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore