Sport

Zgjerohet hetimi ndaj Juventus-it, në llupën e prokurorisë përfundojnë disa tregtime me Atalanta-n dhe Udinese-n


Hetimi i “Prisma” është gati të zgjerohet për të përfshirë marrëveshje sekrete mes Juventus-it dhe klubeve të tjera si Udinese dhe Atalanta.

“La Repubblica” detajon se si Prokuroria Publike e Torinos është e gatshme të hapë fronte të reja në hetimin e tyre përpara seancës paraprake, të planifikuar të zhvillohet më 27 mars.

Bardhezinjtë tashmë janë në një pozitë të vështirë dhe gjërat mund të përkeqësohen me zgjerimin e hetimeve.

Një transferim kyç që po hetohet është ai i Rolando Mandragora. Mesfushori italian u ble nga Juventus-i për 9 milionë euro në janar të vitit 2016 dhe kaloi kohë në huazim me Pescara dhe Crotone përpara se të shitej te Udinese për 20 milionë euro në korrik të vitit 2018, duke sjellë një fitim kapital prej rreth 13.7 milionë euro.

Dy vjet më vonë, në tetor të vitit 2020, Juventus-i ri-nënshkroi me Mandragora-n për 10 milionë euro plus 6 milionë të tjera në formë të bonuseve, duke e kthyer atë në huazim te Udinese një ditë më vonë.

Transferimi është konsideruar i dyshimtë nga hetuesit dhe ata tashmë kanë ftuar në Romë një numër dëshmitarësh: vetë lojtarin, baba-agjentin e tij, zëvendës-presidentin e Udineses, Stefano Campoccia dhe ish-drejtorin e Juventus-it, Maurizio Lombardo.

Sa i përket Atalanta-s, akuza është se një sërë kontratash private prej gjithsej rreth 14.5 milionë euro, që nuk ishin futur në pasqyrat e tyre financiare.

Disa transferime të cilat nuk iu komunikuan “Lega Serie A”, përfshijnë Federico Mattiello (4 milion €), Simone Muratore (4 milion €), Mattia Caldara (3,5 milion €) dhe Cristian Romero (3 milion €). Të katër u dërguan nga Torino në Bergamo.

Së fundmi, Juventus-i është dënuar me heqjen e 15 pikëve në këtë sezon, por pas seancës së 27 marsit, ata rrezikojnë ta marrin një tjetër dënim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore