Lajme

Zgjerohet “Fronti Evropian”, Ali Ahmeti nënshkruan marrëveshje edhe me Partinë Demokratike Turke


Ali Ahmeti dhe Bejxhan Iljas

Koalicionit “Fronti Evropian”, që udhëhiqet nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) – partia më e madhe shqiptare në Maqedoninë e Veriut – i është shtuar edhe Partia Demokratike Turke (PDT).

Marrëveshja është nënshkruar nga kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, dhe lideri i PDT-së, Bejxhan Iljas, në qytetin e Gostivarit – i banuar me shumicë shqiptare.

PDT është partia e radhës që i bashkohet koalicionit “Fronti Evropian”. Pjesë e tij para disa ditë janë bërë edhe Partia Demokratike Shqiptare e Menduh Thaçit, Partia Demokratike Evropiane e Arianit Hoxhës dhe Lëvizja Populli e Skënder Rexhepit Zejdi.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes me PDT-në, Ahmeti ka thënë se “Fronti Evropian” po i bashkon edhe familjet, derisa theksoi se turqit dhe shqiptarët i dallon vetëm gjuha.

“Janë krijuar familje, atë e bisedoja edhe me doktorin. Një shqiptare e martuar për turk, një turk i martuar me shqiptare, tani do të ndahen, a janë me Bejxhanin, a janë me Aliun. Tash i kemi bërë bashkë dhe i kemi pajtuar edhe familjet. Ne kemi vetëm një dallim, vetëm gjuha, të gjitha të përbashkëta i kemi…dhe 22 vjet Bejxhan kemi qenë të ndarë”, tha ndër të tjera Ahmeti.

Nga ana tjetër, Iljas potencoi se arritja e koalicionit dhe përfshirja në “Frontin Evropian” është një hap përpara për një të ardhme më të ndritur të vendit, derisa shtoi se përfshirja e partive në këtë koalicion po bëhet në një moment të rëndësishëm për Maqedoninë e Veriut.

“Karakteristikë e partive anëtare të Fronit Evropian janë përvoja politike dhe  përfshirja e tyre në politikë në momentet më të rëndësishme të vendit. Në këtë aspekt mund të themi se në sot duke i hedhur hapat drejt ardhmërisë sonë me një bindje mund të ju informoj për fitoren tonë që do të jetë bindëse dhe shumë e thellë”, theksoi ai, transmeton “TV21.

“Fronti Evropian”, që përbëhet kryesisht nga parti shqiptare, garën kryesore do ta ketë në taborin shqiptar.

Kundërshtar e ka koalicion tjetër që përbëhet nga parti shqiptar, koalicionin “VLEN” – Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit, Lëvizja Demokratike e Izet Mexhitit, Lëvizja Besa e Bilall Kasamit, Alternativa e Afrim Gashit dhe eksponentë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Ndryshe, Maqedonia e Veriut këta muaj është në procese zgjedhore, fillimisht do të mbahen ato presidenciale – raundi i parë – më 24 prill, ndërsa raundi i dytë më 8 maj, së bashku me zgjedhjet parlamentare.

Fushata për zgjedhjet presidenciale do të fillojë më 4 prill dhe zgjat deri më 22 prill, kur edhe fillon heshtja zgjedhore që zgjat deri më 24 prill. Ndërsa, fushata për zgjedhjet parlamentare do të fillojë më 18 prill dhe do të zgjasë deri më 6 maj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore