Shqipëria

Zgjerimi i BE-së është imperativ gjeopolitik për sigurinë, thotë Gjermania


Zgjerimi i Bashkimit Evropian është kthyer në imperativ gjeopolitik për sigurinë.

Kështu tha të mërkurën zëvendësministrja e Jashtme e Gjermanisë, Katja Keul.

Ajo në një fjalim në Konferencën e Sigurisë së Berlinit thesksoi se BE-ja duhet të përshpejtojë procesin e zgjerimit për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin në rajon.

“Ne jemi të bindur se kohezioni evropian dhe stabiliteti i fqinjësisë evropiane mbeten vendimtare për sigurinë kolektive evropiane dhe transatlantike”.

Keul vuri në dukje se pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, çështjet e sigurisë evropiane, zgjerimit dhe reformimit të institucioneve të bllokut janë bërë të lidhura fort me njëra-tjetrën.

“Ne duhet të sigurojmë që një BE prej 30 shtetesh anëtare të mbetet e aftë për të marrë vendime dhe veprime në mënyrë efikase në një mjedis gjeopolitik në ndryshim”.

Aktualisht, tetë vende kandidate, duke përfshirë Shqipërinë, Turqinë dhe Ukrainën, po përpiqen të bëhen anëtarë të bllokut prej 27 anëtarësh.

Gjeorgjia dhe Kosova janë kandidatë potencialë.

Vetë kancelari gjerman, Olaf Scholz në Tiranë pati deklaruar me bindje se është një gabim që 20 vite pas marrëveshjes së Selanikut, Ballkani Perëndimor nuk është integruar ende.

Për Shcholz, 20 vite janë shumë dhe se unioni ka detyrën e vështirë për të mbajtur të gjallë ëndrrën evropiane.

Sipas tij, anëtarësimi duhet të vijë sa më parë, kjo edhe me kohën që shtetet të kenë kryer detyrat.

“Shtetet duhet të bëjnë detyrat, që më pas ne të themi janë gati”.

“E gjitha është e bazuar në meritë. Duhet të bëjnë hapat e nevojshme. Këndvështrimi im është se duhet të bëhet sa më shpejt të jetë e mundur”.

Gjithashtu Scholz u shpreh kundër bilateralizimit të procesit të zgjerimit të BE.

Ai e tha këtë në përgjigje të një pyetjeje për mosmarrëveshjet e fundit mes Greqisë dhe Shqipërisë, gjatë konferencës së shtypit me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis.

Scholz theksoi se në të gjitha mosmarrëveshjet midis vendeve të rajonit, Berlini është “në anën e procesit të anëtarësimit në BE, sepse dëshiron që kandidatët për anëtarësim ta arrijnë atë sa më shpejt”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore