Lajme

“Zgjedhjet të Dielën”: LVV mbi 40 për qind – LDK e PDK sillen rreth 20 për qindëshit


Ilustrim

Një anketë e realizuar mes 14 dhe 20 shkurtit të këtij viti nga Insituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS), rezultatet e të cilit u publikuan në televizionin “Klan Kosova” të enjten, zbuloi se mbi 40 për qind, nga 1 mijë e 50 respodentë në tërë territorin e Kosovës, do të votonin për Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) nëse zgjedhjet parlamentare mbahen këtë të diel.

Në pyetjen “Nëse zgjedhjet parlamentare do të mbaheshin këtë të diel, cilën parti politike do ta votonit?”, rreth 40.9 për qind e të anketuarëve u përcaktuan për LVV-në, ndërsa rreth 21.5 për qind e të anketuarëve për Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK). Rreth 20.4 për qind të anketuarëve u shprehën se do ta votonin Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).

Në këtë drejtim, rreth 9 për qind e të anketuarëve janë deklaruar për koalicionin parazgjedhor ndërmjet Aleancës për Ardhmërinë e Kosovë (AAK) dhe Nismës Socialdemokrate (NISMA), ndërsa rreth 0.10 për qind kanë thënë se do ta votonin Partinë Socialdemokrate (PSD). Mbi 4 për qind e të anketuarëve janë deklaruar “të pavendosur” se për cilën parti do të votonin.

Në pyetjen “Vlerësoni me notë politikanët, ku 1 është nota më e keqe dhe 5 nota më e mirë”, kryeministri aktual i Kosovës dhe lideri i LVV-së, Albin Kurti, prin me 3.07 pikë. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, renditet në vendin e dytë me vetëm 0.1 pikë më pak se kreu i ekzekutivit kosovar. Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pason listën me 2.13 pikë nga 5 në total.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, u vlerësua me 2.05 pikë, kurse udhëheqësi i AAK-së, Ramush Haradinaj, në bazë të rezultateve të opinionit publik, renditet në vendin e pestë me 1.89 pikë. Kreu i NISMA-s, Fatmir Limaj, radhitet në vendin e gjashtë, duke marrë vetëm 1.65 pikë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore