Lajme

Zgjedhjet në Veri: Çka ndodhë nëse votojnë vetëm 1% e qytetarëve me të drejtë vote?


Ilustrim

Mos-dalja e qytetarëve me të drejtë vote në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit për katër komunat veriore nuk pengon në asnjë mënyrë mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, kjo pasi që legjislacioni në Kosovë nuk ka përcaktuar pragun minimal të daljes së votuesve në zgjedhjet qendrore apo komunale.

Kështu të paktën ka thënë zëdhënësi i Komisionit Qendrore Zgjedhor, Valmir Elezi, për Albanian Post.

“As në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe as në Ligjin për Zgjedhjet Lokale nuk është e saktësuar se sa duhet të jetë pjesëmarrja e votuesve në një proces zgjedhor, në mënyrë që pastaj rezultati të mund të certifikohet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Pra, nuk ka ndonjë prag të vendosur për këtë çështje”, ka thënë Elezi për Albanian Post.

Se legaliteti i procesit zgjedhor, në kuptimin ligjor, nuk përcaktohet nga numri i pjesëmarrësve në zgjedhjet, si në ato lokale ashtu edhe në ato qendrore, e thotë edhe hulumtuesi i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës, Eugen Cakolli.

Problemi, sipas tij qëndron te fakti se me daljen minimale të votuesve të komunitetit serb në zgjedhje mund të krijohet baza për kontestimin e legjitimitetit të institucioneve që do të prodhohen nga këto zgjedhje, në veçanti në ato dy komuna kur tërë kandidatët janë nga radhët e komunitetit shqiptar.

“Pra të njëjtit do të kenë legjitimitet të kontestuar, jo vetëm për shkak të daljes së ulët në zgjedhje, por edhe për shkak të faktit se do të qeverisin në komuna ku komuniteti serb përbënë mbi 98 për qind të popullsisë, ndërsa kryetari do të jetë ai i komunitetit shqiptar”, ka thënë Cakolli fillimisht për AP.

Ndërsa kanë mbetur pak më pak se 4 ditë nga organizimi i zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat veriore të Kosovës tashmë mbajtja e tyre është vënë në pikëpyetje kjo për shkak të bojkotit të Listës Serbe – partia më e votuar në mesin e serbëve dhe kontrolluesit faktikt të Veriut – dhe përkeqësimit të situatës së sigurisë në këtë pjesë të vendit.

Për Cakollin është e qartë se situata e sigurisë në Veri është e brishtë, por dukshëm më mirë sesa ka qenë në dhjetor të vitit të kaluar, kur serbët të revoltuar kishin bllokuar në disa pika rrugët në Veri të vendit për 20 ditë rresht.

Ndonëse krerët institucionalë janë kundër shtyrjes së zgjedhjeve në Veri, ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, kishte argumentuar se në këtë fazë ndoshta do të ishte më mirë që zgjedhjet në Veri të shtyheshin marrë parasysh situatën e sigurisë në këtë pjesë të vendit.

Megjithatë problemi me shtyrjen eventuale të zgjedhjeve, sipas Cakollit, qëndron te fakti se nuk ka asnjë garanci që Lista Serbe do të marrë pjesë në procesin zgjedhor pa u plotësuar disa nga kërkesat që janë parashtruar nga ana e tyre, përfshirë formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Prandaj ndërlidhja e tyre me vetë procesin zgjedhor përbënë cenim të demokracisë”.

Pjesëmarrja e Listës Serbe jo domosdoshmërisht , sipas Cakollit, do të ndryshonte situatën me procesin zgjedhor, kjo pasi që edhe kur Lista Serbe ka marrë pjesë në zgjedhjet e mëparshme ku dalja në këto komuna ka qenë afërsisht 80 për qind janë konstatuar parregullsi të shumta nga vëzhgues ndërkombëtar e vendor për shkak të frikësimit të votuesve.

“Misionet ndërkombëtare dhe ato vendore të cilët kanë vëzhguar zgjedhjet në Veri të Kosovës që nga viti 2013 e tutje kanë konstatuar që Lista Serbe ka qenë e përfshirë në rastet e frikësimit të qytetarëve por edhe të kandidatëve të tjerë që kanë marrë pjesë në procesin zgjedhor. Pjesëmarrja e Listës Serb ndoshta do të krijonte një perceptim që zgjedhjet po mbahen në mënyrë të qetë ndonëse në praktikë ka raste të evidentuara të frikësimit të kandidatëve apo të votuesve”.

Valmir Elezi dhe Eugen Cakolli

QUINT-i pro zgjedhjeve

Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të njohura ndryshe si QUINT-i, kishin lëshuar një deklaratë për media, ku janë rreshtuar pro mbajtjes së zgjedhjeve me 23 prill, derisa kishin shprehur keqardhje për mos-pjesëmarrjen e Listës Serbe.

“Na vjen keq që Lista Serbe nuk ka përdorur të drejtën e vetë demokratike për të marrë pjesë në këto zgjedhje”, thuhej në deklaratën e përbashkët të ambasadave.

“Zgjedhjet janë themeli i demokracisë”, shkruajnë ata, prandaj “të siguruarit se ato mbahen në mënyrë të rregullt dhe paqësore është esenciale”.

“SHBA-të do t’i njohin rezultatet e zgjedhjeve në Veri, pavarësisht bojkotit të serbëve”

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’i njohin rezultatet e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat veriore të Kosovës, pavarësisht bojkotit të serbëve, kishte thënë të mërkurën emisari special i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Escobar në një prononcim për agjencinë serbe të lajmeve “Tanjug”, tha se fakti që disa parti politike kanë vendosur t’i bojkotojnë zgjedhjet, nuk do të thotë se zgjedhjet nuk kanë legjitimitet dhe njoftoi se SHBA-të do t’i njohin rezultatet e këtyre zgjedhjeve në çdo rast.

“I kam bërë thirrje serbëve që të marrin pjesë në zgjedhje. Ne i kuptojmë shumë gjëra që ata i shohin si problematike, por sigurisht që duhet të marrin pjesë. Nëse ata nuk do të merrnin pjesë, kjo nuk do të thotë se ne nuk i mbështesim zgjedhjet”.

Çfarë ndodhi?

Më 23 prill, qytetarët me të drejtë vote në katër komunat në Veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, do t’iu drejtohen qendrave të votimit për të zgjedhur katër kryetarë të rinj dhe dy përbërje të reja të asambleve komunale.

Por, për dallim nga herët e kaluara, në këto zgjedhje – që bojkotohen nga partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe – votimet, përveçse në disa shkolla, do të mbahen edhe në kontejnerë.

Për zgjedhjet për katër kryetarët në Veri do të garojnë 11 kandidatë, dy prej të cilëve vijnë nga komuniteti serb.

Subjektet në garë janë Iniciativa qytetare Mitrovica, Partia Demokratike e Kosovës, Partia e Serbëve të Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje, si dhe një kandidate e pavarur.

Zgjedhjet për katër kryetarë komunash veriore të Kosovës dhe dy asamble komunale do të duhej të mbaheshin në dhjetor të vitit të kaluar, por ato u shtynë për 23 prill të këtij vit, pas kërkesës së ndërkombëtarëve që të mos vazhdohet tutje me procedura të rregullta, meqë situata në terren nuk e mundësonte.

Nevoja për zgjedhje lindi pasi në mënyrë të organizuar Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, tërhoqi kryetarët e komunave, deputetët, ministrat dhe gjithë stafin administrativ nga institucionet e Kosovës.

Largimi nga institucionet u bë si shenjë proteste për disa shkarkime që ndodhën në radhët e policisë, përfshirë komandantin serb të stacionit në veri, meqë ata nuk i përfillen urdhrat e dhëna me vendim qeveritar, për gjobitjen e të gjitha veturave me targa ilegale “KM”.

Më pas, kur qeveria u pajtua ta shtyjë zbatimin e vendimit, Lista Serbe u deklaruar se si kusht për t’u kthyer në institucionet kanë fillimin e themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Kosova është pajtuar që ta themelojë Asociacionin me Marrëveshjen për Rrugën Drejt Normalizimit të Raporteve me Serbinë, por Lista Serbe prapë refuzoi të regjistrohet në Komisionin Qendror Zgjedhor për t’u futur në listë të partive që garojnë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore