Zgjedhjet në Himarë, Celibashi: 6 mijë votues me ID të skaduara, duhej të ishin interesuar partitë
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi në një deklaratë për mediat tha se procesi i votimit në Himarë po shkon normalisht.
Sa i takon çështjes së kartave të skaduara, ai theksoi se nuk është kompetencë e institucionit që drejton.
Celibashi pranoi se janë 6 mijë zgjedhës me karta identetite të skaduara por se kjo shifër ka qenë dhe vitin e kaluar.
“Është e vërtetë që janë 6 mijë votues të cilët dokumenti ose u ka skaduar ose u skadon deri ditën e sotme. Do të duhet të them që e njëjta shifër votuesish ka qenë dhe në zgjedhjet e kaluara. Përse për këto zgjedhje nuk u mor vendim nga qeveria për të zgjatur vlefshmërinë e kartave të identitetit nuk mund ta them”.
Ai theksoi se nuk “kemi pasur një komunikim ditën e sotme se nuk është se do të kishte zgjidhje ditën e sotme”.
“Kjo çështje do të duhej të ishte zgjidhur më parë. Është një çështje që lidhet me interesin e votuesve për të disponuar një dokument identifikimi e më pas autoritetet përgjegjëse shtetërore duhej t’i përgjigjeshin interesit. E njëjta gjë qëndron dhe për partitë. Nuk po përpiqem të shmang gravitetin apo shkakun por lidhet me interesin e kandiduesve, dhe të partive”.
I pyetur pse nuk u mor një vendim nga ana Këshillit të Ministrave me një akt normativ për këtë çështje dhe nëse ka komunikuar KQZ me Ministrinë e Brendshme, ai tha se, “ne e kemi bërë këtë komunikim sa herë ka pasur kërkesë nga partitë politike. Nuk e kemi pasur në këtë rast një kërkesë të tillë zyrtare nga partitë. E kemi pasur në mënyrë informale ditët e fundit për hir të së vërtetës, por mbetet jashtë sferës së përgatitjes dhe vëmendjes së KQZ”.
Natyrisht, shtoi Celibashi, “është një çështje që mund të diskutohet dhe secili prej të interesuarve mund të ketë këndvështrimin e tij lidhur me këtë çështje. Ne nuk kemi pasur një komunikim me përfaqësues të qeverisë apo Ministrisë së Brendshme ditën e sotme, se nuk do kishte zgjidhje sot. Nëse do kishte zgjidhje do duhej bërë ditë më parë. Është një çështje që në fund të fundit lidhet me interesin e vetë votuesve për të pasur një dokument identifikimi ditë më parë. Më pas autoritetet përgjegjëse do të duhet t’i përgjigjen këtij interesi”.
Celibashi shtoi se, “në përgjithësi procesi ka shkuar qetë që do të thotë se ka pasur raste kur janë evidentuar problematika. Kemi raportim për një qendër votimi ku ka pasur persona të paautorizuar që mbanin shënim personat që votonin. Kanë ndërhyrë përfaqësuesit e KQZ dhe tashmë është zgjidhur”.
“Ka pasur një incident me përfaqësues të medias në Lukovë, të cilët nuk janë lejuar të filmonin. Në Shqipëri është lejuar që kameramanë, gazetarë të filmojnë në qendrat e votimit. Nëse një komisioner nuk ndihet komod me këtë gjë atëherë do të duhet të lërë detyrën”, tha më tej Celibashi.
Pjesëmarrja në zgjedhjet e pjesshme të Himarës është më e lartë nga ajo e votimit më 14 Maj 2023, kur u zgjodh me 19 vota diferencë ish-kryebashkiaku i dënuar Fredi Beleri.
KQZ njofton se deri në orën 11:00 kanë votuar 18,08%, ose mbi 4171 zgjedhës, në krahasim me 14,6% të vitit të kaluar. Tabela dhe krahasimet e tregojnë trendin elektoral.
Në garë për postin janë Vangjel Tavo nga ana e mazhorancës (nën siglën e Partisë Socialiste) dhe Petro Gjikuria nga ana e opozitës (nën siglën e Bashkë Fitojmë).
23 mijë e 74 qytetarë kanë të drejtën e votës, të cilat do të hidhen në 36 qendrat e votimit të hapura prej orës 07:00 dhe që do të mbyllen në orën 19:00.
Ashtu siç KQZ ka bërë me dije, do të aplikohet vetëm identifikimi elektronik dhe qendrat e votimit do të jenë të monitoruara me kamera.
Një bashki në konflikt
Në zgjedhjet e fundit lokale të mbajtura në 2023-shin, kandidati fitues Alfred Beleri u arrestua 48 orë para votimit, duke u bërë kandidati i vetëm në historinë e zgjedhjeve shqiptare që zgjidhet kryetar në burg.
Më 12 maj Beleri përfundoi në pranga pasi u akuzua për korrupsion zgjedhor, duke u faktuar se ai kishte kryer aktin e blerjes së votës.
Teksa Beleri ndodhej në burg, kryetar i bashkisë mbeti ai aktual (humbësi i zgjedhjeve) Jorgo Goro.
Por burgu nuk i ndahet bashkisë së Himarës.
Ishte radha e Jorgo Goros për t’u arrestuar. Ai u prangos më 23 mars të këtij viti – i akuzuar nga vetë Beleri për tjetërsim votash.
Fill pas kësaj, mazhoranca socialiste emëroi dy kryetarë të tjerë të komanduar.
E para ishte Blerina Bala, e cila dha dorëheqjen më 5 qershor, për arsye – sipas saj – personale.
Më pas kryetar i komanduar u vendos Arqile Bollano, i cili aktualisht ndodhet në një proces hetimi për korrupsion nga SPAK.
Ishte dënimi i Fredi Belerit me dy vite burg nga Apeli i GJKKO-së ai i cili i hapi rrugë zgjidhjes së ngërçit në Bashkinë e Himarës.
Kjo pasi u bë e mundur heqja e mandatit si kryebashkiak nga ana e KQZ-së. Beleri aktualisht është deputet në Parlamentin Evropian në emër të partisë “Demokracisë së Re” në Greqi.
Jo vetëm zgjedhje
Instituti i Studimeve Politike (ISP) ka realizuar një raport për zgjedhjet vendore në Himarë, ku thekson se kjo bashki është kthyer në një “patate të nxehtë” për shkak të çështjes Beleri, por pretendon se oligarkët dhe zyrtarët kryesorë kanë interesa për investime në turizëm.
“Kjo bashki nuk zë një pozicion të rëndësishëm në hierarkinë dhe strukturën e pushtetit vendor në Shqipëri, por për shkak të pretendimeve dhe debatit politik mes Shqipërisë dhe Greqisë, si dhe interesit strategjik të disa prej oligarkëve dhe zyrtarëve kryesorë në vend për investimet turistike, bashkia ka marrë një vlerë të veçantë dhe zhvillimet atje kanë një interes të dyfishtë”.
Referuar të dhënave të përpunuara nga ISP, që nga viti 2000, zgjedhjet atje kanë qenë kryesisht produkt i marrëdhënieve politike mes PS-së dhe PD-së.
Në vitin 2000 dy partitë u bashkuan kundër kandidatit Bollano, një figurë ekstremiste vendase duke e mposhtur atë me fitore dërrmuese.
Por në vitin 2003 dhe 2007 i njëjti kandidat, Bollano, tashmë me mbështetjen e PS-së dhe më pas të PD-së, siguroi tre mandate radhazi, i fundit (2019) pa kandidatë rivalë.
Të katër drejtuesit e viteve 2000-2024 (Mato, Bollano, Goro dhe Beleri) janë arrestuar, hetuar apo dënuar për vepra të ndryshme penale (korrupsion apo vepra të tjera penale), një numër rekord për drejtimin e një bashkie në Shqipëri.
Aktualisht, zgjedhjet janë mes dy blloqeve kryesore politike, me kandidatë të “sjellur”, Tavo nga Gjirokastra dhe Gjikuria nga SHBA.
Zgjedhjet e 4 gushtit, të vetmet prej disa dekadash në Shqipëri në pikun e sezonit turistik, kanë vlerë simbolike.
Kryesisht për të vënë në provë aftësinë e Shqipërisë për zgjedhje, interesin vendor për pjesëmarrje dhe pjekurinë e partive për rikthimin në normalitet të një prej bashkive më të rëndësishme për nga potenciali turistik.
Pavarësisht rezultatit, zgjedhjet nuk pritet t’i japin fund debatit dhe keqpërdorimeve, të cilat janë në interes të partive – të vazhdojnë të paktën deri pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com