Shqipëria

Zgjedhjet në FRPD, Këlliçi kundër vendimit të Bashës


Në një deklaratë për mediat, kreu i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, e ka konsideruar nul vendimin e kryedemokratit, Lulzim Basha, për të zhvilluar zgjedhje brenda kësaj strukture.

Kështu ai ka dalë kundër vendimit të Bashës.

Vendimin e këtij të fundit, Këlliçi, e ka cilësuar “jashtë kompetencave”.

“Duke qenë se PD-ja është në krizë të thellë, e gjykojmë se nuk është momenti, që të uzurpohet Partia Demokratike. Unë gjithmonë kam dashur të mos humb as edhe një anëtar të PD, e jo më të fusim Partinë Demokratike në konflikt”, u shpreh ai.

FRPD-ja ka nisur të premten e 5 nëntorit procesin e riorganizimit dhe zgjedhjeve në të gjitha strukturat.

Kryetari PD-së, Lulzim Basha udhëzoi nisjen e procesit të rifreskimit të strukturave dhe ngritjen e një grupi pune që do të mbikëqyrë procesin, pasi mandati i shumicës dërrmuese të drejtuesve të FRPD-së ka mbaruar dhe një pjesë e drejtuesve kanë tejkaluar moshën.

Kryetari i FRPD-së dhe i forumeve drejtuese kanë mandat 4 vjeçar, ndërsa anëtarët e forumit mund të jenë pjesë e forumit deri në moshën 35 vjeç.

Grupi i posaçëm i punës për zgjedhjet në FRPD përbëhet nga: Oriela Nebiaj, Hergert Alimerko, Dario Sejdini, Enkelejda Rica, Juela Hamati dhe Anita Doçi.

Ky grup do të mbikëqyrë mbarëvajtjen dhe organizimin e procesit të anëtarësimeve, rifreskimit të të dhënave dhe zgjedhjeve në të gjitha nivelet dhe strukturat e Forumit Rinor.

Menjëherë pas përfundimit të procesit të anëtarësimeve dhe riorganizimit, do të vijohet me zgjedhjen me 1 anëtar, 1 votë të kryetarit dhe zgjedhjen e strukturave drejtuese të FRPD-së në nivel qendror dhe lokal.

Zgjedhjet për kryetar të FRPD-së janë mbajtur për herë të fundit në dhjetor 2015. Kryetar i këtij forumi deri në këtë moment është Belind Këlliçi, deputet i zgjedhur në zgjedhjet e 25 prillit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore