Kosova

Zgjedhjet në BE/SHBA zbehin perspektivën e dialogut – mund të prodhojnë rezultate të pafavorshme për Kosovën


Ilustirm

Gati minimale janë gjasat që të ketë lëvizje të rëndësishme në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën kujdesin e Bashkimit Evropian (BE), derisa kontinenti evropian përgatitet për valën e zgjedhjeve parlamantare, të cilat mund të prodhojnë rezultate të pafavorshme për Kosovën dhe humbje të momentumit për dialogun.

Asnjë lëvizje thelbësore në drejtim të zbatimit të marrëveshjeve Kosovë-Serbi nuk mund të pritet këtë vit, konsiderojnë njohës të çështjeve politike, veçanërisht për shkak të ciklit të ri zgjedhor në nëntë shtete evropiane, përfshirë zgjedhjet për Parlamentin Evropian (PE) në qershor, të cilat mund të ndryshojnë për të keq rrjedhën e zhvillimeve aktuale në proces.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në një konferencë për media të martën, shprehu shpresën që këtë vit Kosova dhe Serbia do t’i zbatojnë marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, derisa ngulmoi se këtë herë duhet t’i kushtohet vëmendje substancës e jo formaliteteve. Por njohësit e procesit shprehen skeptikë.

Donika Eminini, studiuese e Politikës së Jashtme dhe Sigurisë nga Grupi Këshillues për Politikat e Ballkanit në Evropë (BiEPAG), ndonëse konsideron se për shkak të situatës aktuale në kontinent dhe kërcënimeve ndaj sigurisë në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe, gjasat që dialogu të mbahet në agjendë mund të jetë i lartë, procesi mund të mbetet periferik.

“Megjithatë, nëse nuk ka tensione të cilat mund të rrisin urgjencën për të adresuar çështjen në mes të Kosovës dhe Serbisë, ka shumë gjasë që ky proces të mbetet në periferi për faktin se BE-ja, përveç zgjedhjeve, ka hapur debate më të rëndësishme të brendshme reformuese”, thekson Emini, derisa shton se në përgjithësi, nuk ka pritshmëri për shtyerje të proceseve të mëdha.

“Normalisht, viti zgjedhor në BE i gjen shumicën e përfaqësuesve të lartë në kërkim të mundësive të reja brenda apo jashtë BE-së. Përveç kësaj, zgjedhjet në vendet anëtare kanë shumë gjasë që të ndryshojnë dinamikën brenda BE-së e cila jo-domosdoshëmrisht mund të shkojë në favor të Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor në përgjithësi”, nënvizon ndër të tjera Emini.

Edhe profesori i Diplomacisë në Shkollën e Menaxhimit (IESEG) në Paris, Valon Murtezaj, vlerëson se zgjedhjet në BE do të konsumojnë kohën dhe vëmendjen e njerëzve kryesorë të politikes së  kontinentit evropian, derisa shpreh dilemën se si do të duket skena politike evropiane pas ciklit zgjedhjor, posaçërisht në dritën e “fërshëllimës” së zgjerimit të BE-së.

“Po ashtu, është dilematike se si do të duket skena politike evropiane pas këtyre zgjedhjeve. Më tej, zgjedhjet nacionale në nënte vende dhe rezultatet që dalin nga këto zgjedhje, janë gjithashtu përbërës shumë i rëndësishëm, që ndikon në dinamikën e qeverive të ardhshme në raport me relacionet brenda në BE dhe me vendet jashtë BE-së, ku bën pjesë Kosova”.

Kosova dhe Serbia shpejt do ta gjejnë veten në rolin e spektatorëve të fragmentimeve politike brenda BE-së. Në zgjedhjet evropiane, çështja për të vëzhguar është se sa forcohet rryma antiliberale dhe e djathta ekstreme, ndërsa procesi i dialogut Kosovë-Serbi pritet të matet edhe në kontekstin e zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Emini paralajmëron se zgjedhjet amerikane priten të jenë “shumë të paparashikueshme”, ndërsa shpreh drojën se BE-ja do të mbesë pa partnerin kryesor, duke humbur kështu edhe momentumin e krijuar vitin e kaluar, posaçërisht shtyrjen e Kosovës dhe Serbisë drejt zbatimit të marrëveshjeve në kuadër të procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

“BE-ja mund të ngel pa partnerin, i cili, megjithatë, ka më shumë fuqi politike për të krijuar presion politik mbi të Kosovën dhe Serbinë. E njejta edhe për Britaninë e Madhe e cila udhëheq një politikë të jashtme më të pavarur dhe më efikase sesa BE-ja. Zgjedhjet edhe pse nuk janë shpallur, priten të ndodhin këtë vit edhe në Britaninë e Madhe”, vëren ajo.

Në këtë drejtim, specialisti në fushën e paqes dhe konfliktit, demokracisë dhe politikës së jashtme të BE-së nga Këshilli për Politikat e Demokratizimit (DPC), Toby Vogel, ngrit dilemën se deri në çfarë mase SHBA-ja, veçanërisht nëse Donald Trump rikthehet në krye të SHBA-së, do të vazhdojë të shohë Kosovën si prioritet, duke pasur parasysh sfidat kryesore ndërkombëtare.

Ai deklaron se presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, shpreson që zgjedhjet presidenciale të prodhojnë politika që do t’i përshtaten Serbisë, kurse nga zgjedhjet evropiane pret fitoren e “figurave miqësore”, duke iu referuar kryesisht kryeministrit hungarez, Viktor Orban, i cili refuzon të pajtohet për rritjen e presionit apo vendosjen e masave kufizuese ndaj Serbisë.

Vogel, përveç shprehjes së dukshme të skepticizmit për progres në dialog, kujton se letra e kryeministres serbe, Ana Bërnabiç, nëpërmjet së cilës Serbia konfirmoi se nuk e ka ndërmend ta zbatojë Marrëveshjen Bazë (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksin e Implementimit (Ohër, 18 mars), paraqet një pengesë kapitale për procesin e normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

“Dialogu në formatin aktual nuk prodhoi një marrëveshje kuptimplote – kujtoni se Vuçiç refuzoi të nënshkruajë marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit dhe ekzekutivi serb u zotua edhe me shkrim se do të kundërshtojë njohjen de facto të Kosovës – dhe nuk ka asnjë arsye për të besuar se Serbia do të fillojë ta zbatojë marrëveshjen tani”, deklaron mes tjerash Vogel.

“Për sa kohë që i gjithë presioni ndërkombëtar është i vendosur në mënyrë disproporcionale në njërën anë – në anën më të dobët politikisht – perspektiva për një marrëveshje normalizuese duken të zbehta”, shton ai, duke iu referuar masave ndëshkuese që BE-ja ia vendosi Kosovës në qershor të vitit të kaluar për shkak të përshkallëzimit të situatës në veri të vendit.

E krahas zhvillimeve të jashtme, pengesë në procesin e dialogut pritet të jenë edhe zhvillimet e brendshme në Kosovë dhe Serbi. Në Kosovë veçse filluan zërat e parë në kërkim të zgjedhjeve të parakoshme parlamentare, kurse në Serbi shpërthyen protestat masive të opozitës, të cilat kulmuan pas zgjedhjeve të përgjithshme të 17 dhjetorit të vitit të kaluar.

Emini deklaron se në rast të zgjedhjeve në Kosovë, por edhe rrethanave politike në BE dhe SHBA, të cilat, sipas saj, nuk krijojnë shumë hapësirë për investimin e kapitalit politik në procesin e dialogut,  ekzekutivi kosovar nuk do të bëj ndonjë hap të rëndësishëm në zbatimin e marrëveshjes, përkatësisht themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Një mendim të ngjashëm e jep edhe Murtezaj. Duke qenë se perspektiva e demokracisë në Serbi është ende e pasigurt dhe gjithashtu, mbetet e paqartë nëse Serbia do të ndjekë politika të favorshme ndaj stabilitetit rajonal, ai konsideron se gjasat që të ketë lëvizje të rëndësishme në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi janë minimale.

“Problemi i parë është mosgatishmëria e qeverisë së Serbisë për të zbatuar marrëveshjet, sepse kjo dërgon drejt njohjes së plotë të Kosovës. Nëse i shtojmë kësaj edhe gjendjen momentale që lidhet me protestat në Serbi dhe kundër-reagimet e mundshme nga qeveria autoritare e Serbisë, atëherë kjo e bën edhe me pak premtuese pritjen për zbatim të plotë të marrëveshjeve”.

Në kushtet kur çështja e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është bërë barrë e madhe për Kosovën, studiuesja kosovare nënvizon se kryeministri i Kosovës dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, nuk do të lëvizë drejt themelimit të këtij mekanizmi vetëmenaxhues për serbët kosovarë, pikërisht për shkak të fushatës zgjedhore.

“Mirëpo, kjo situatë assesi nuk mund të shihet si situatë e mirë në rrafshin afatgjatë. Blerja e kohës mund të jetë strategji e mirë momentale që mund ta favorizojnë një parti politike. Megjithatë, dinamika brenda vendeve anëtare të BE-së, lidershipi i ri, zgjerimi drejt lindjes dhe rezultati i zgjedhjeve në SHBA, mund të sjellin rrethana të pafavorshme”, thekson Emini.

E zgjerimi i harkut të krizës që shtrihet nga lufta midis Ukrainës dhe Rusisë e deri te konflikti midis Izraelit dhe Palestinës, ndikoi në mënyrë substanciale në ecurinë e procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, duke e gjetur vetën nën hijen e sfidave më të rëndësishme të sigurisë për bashkësinë e organizuar perëndimore.

Përderisa terreni i kërkimit të madh për “përgjigjet” dhe “formulën e zgjidhjes” pritet të vazhdojë edhe në vitin 2024, çështja e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe pritet të rifutet ngadalë në agjendën e aktorëve të angazhuar në terren – një ndër prioritetet e bashkësisë së organizuar perëndimore në drejtim të normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore