Zgjedhjet në Kosovë

Zgjedhjet Lokale në Kosovë – Raundi Final


Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale- 14 nëntor 2021

Në orën 7:00 hapen qendrat e votimit në të gjitha vendvotimet në 21 Komuna të Republikës së Kosovës, ku do të zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale për kryetarë të komunave.

Në këtë raund të zgjedhjeve lokale, në 21 komuna ku do të zhvillohet balotazhi të drejtë vote kanë gjithsej 1 milion 260 mijë e 571 votues, apo 624 mijë e 887 votues më pak krahasuar me numrin e votuesve të certifikuar në raundin e parë të zgjedhjeve të mbajtura më 17 tetor në 38 Komuna të Kosovës.

Sot (e diele) më 14 nëntorit do të organizohen 1 mijë e 638 vendvotime nga 2 mijë e 477 sa kanë qenë në raundin e parë të zgjedhjeve.

Në balotazh do të votohet vetëm për Kryetarë komune nga lista zgjedhore e cila përmban dy kandidatë.

21 Komunat ku do të zhvillohen zgjedhjet dhe numri i votuesve në raundin e dytë

KQZ e gatshme për procesin zgjedhor

KQZ ka shpërndarë me kohë materialin e nevojshëm për zgjedhje nëpër secilën qendër të votimit.

Nga ana tjetër sipas vendimit të KQZ-së, për kryetar të këtyre 21 komunave, janë shtypur gjithsej 1 milion e 136 mijë e 150 fletëvotime.

Edhe për këto zgjedhje janë shtypur më pak fletëvotime. Rreth 10% apo 125 mijë fletëvotime më pak se numri i përgjithshëm i votuesve që u takojnë këtyre 21 komunave.

Numri i qytetarëve si votues me nevoja të veçanta është rreth 2mijë e 450, prej të cilëve rreth 1 mijë e 550 janë votues të cilët nuk mund të dalin nga shtëpitë e tyre për shkak të paaftësisë fizike apo shëndetësore, ndërsa 899 janë votues të cilët janë në hospitalizim në shtëpi të caktuar për të moshuar, të burgosurit dhe të paraburgosurit.

Po ashtu, KQZ do të mundësoj votimin e qytetarëve të cilët fatkeqësisht janë të infektuar me COVID-19 dhe që për shkak të masave kufizuese nuk mund të dalin në vendvotimin e tyre për të votuar. Fatmirësisht numri i rasteve aktive me COVID-19 është i ulët dhe rrjedhimisht edhe numri i votuesve nga kjo kategori, ka deklaruar zëdhënësi për media i KQZ-së, Valmir Elezi.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi

Mbi 10 mijë vëzhgues

Zyra për Regjistrimin e Partive Politike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) të Kosovës kishte bërë të ditur se në rundin e dytë të zgjedhjeve lokale do të monitorohen nga 10 mijë e 510 vëzhgues.

Drejtor ekzekutiv i kësaj zyre, Yll Buleshkaj, kishte deklaruar se 9 mijë e 287 nga vëzhguesit janë nga partitë politike.

“Përfundimi i procesit të akreditim it dhe ri-akreditimit të vëzhguesve. I kemi 10 mijë e 510 vëzhgues që do të vëzhgojnë raundin e dytë nga të cilët, 577 janë nga mediat, 30 nga mediat e huaja, 9 mijë e 287 vëzhgues nga subjektet politike”.

Ai tutje kishte thënë se edhe misionet diplomatike në Kosovë por edhe organizatat jo-qeveritare vendore e ndërkombëtare do të kenë vëzhguesit e tyre.

“50 vëzhgues nga misionet diplomatike, 319 nga organizatat joqeveritare vendore, 178 nga organizatat e huaja dhe 69 nga Institucioni i Avokati i Popullit”, ka thënë Buleshkaj gjatë mbledhjes së KQZ-së një ditë para zgjedhjeve.

Vëzhgues të zgjedhjeve

Konferencat për media të KQZ-së

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) synon të mbajë pesë konferenca për media ditën e zhdredhjeve.

Konferenca e parë është parapa të jetë në ora 8:00, një orë pas fillimi të procesit zgjedhor.

Konferenca e dytë është parapa të mbahet në ora 11:30, ku do të paraqitet ecuria e procesit dhe pjesëmarrja e votuesve deri në ora 11:00.

Konferenca e tretë është para të mbahet në ora 15:30, ku do të paraqitet ecuria e procesit dhe pjesëmarrja e votuesve deri në ora 15:00.

Konferenca e katërt është parapa të mbahet 30 minuta pas mbylljes së qendrave të votimit, ku paraqitet ecuria e punës dhe mbyllja e procesit të votimit.

Ndërsa, konferenca e pestë e cila ka për qëllim kumtimin e rezultateve preliminare, nuk është caktuar koha e mbajtjes së saj.

KQZ dhe plani i saj për konferenca për media-14 nëntor 2021

Procesi i Votimit do të zhvillohet në 21 komuna

Prishtinë

Komuna me më së shumti votues është ajo e Prishtinës, me gjithsejtë 195 mijë e 978 votues, ku ka 52 qendra të votimit me 238 vendvotime.

Në garë për kryeqytetin janë kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Arben Vitia dhe kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Përparim Rama. Vitia në raundin e parë kishte marr gjithsej 36 mijë e 818 vota ose 42,54 për qind, kurse Përparim Rama, 25 mijë e 252 vota ose 29,17 për qind.

Prizren

Komuna e cila e pason Prishtinën është ajo e Prizrenit me 173 mijë e 359 votues, me 71 qendra të votimit me 221 vendvotime.

Në garë për Prizrenin janë kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Mytaher Haskuka dhe kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Shaqir Totaj. Haskuka në raundin e parë kishte marrë 24 mijë e 378 vota ose 40,41 për qind, ndërsa Totaj kishte marrë18 mijë e 919 ose 31,36 për qind.

Gjakovë

Në komunën e Gjakovës, gara zhvillohet mes Ardian Gjinit nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), i cili në raundin e parë kishte marrë 18 mijë e 973 vota ose 45,76 për qind dhe Mimoza Kusari-Lila nga Lëviza Vetëvendosje (LVV) e cila kishte marrë 15 mijë e 426 vota ose 37,20 për qind.

Gjilan

Në komunën e Gjilanit, gara zhvillohet mes Alban Hysenit nga LVV i cili në raundin e parë kishte marrë 19 mijë e 57 vota ose 44,71 për qind dhe Lutfi Hazirit nga LDK i cili kishte marrë 18 mijë e 546 ose 43,51 për qind.

Podujevë

Për komunën e Podujevës në raundin e dytë të zgjedhjeve do të ballafaqohen Ekrem Hysenit nga LDK i cili kishte fituar 16 mijë e 925 vota ose 44,20 për qind dhe Shpejtim Bulliqi nga LVV i cili kishte marrë 16 mijë e 907 vota ose 44,16 për qind.

Komunat në të cilat do të zhvillohet balotazhi

Fushë Kosovë

Në komunën e Fushë Kosovës, gara do të zhvillohet mes Burim Berishës së LDK-së i cili në raundin e parë kishte fituar  7 mijë e 966 vota ose 49,72 për qind dhe Enver Bajçinca nga LVV i cili kishte marrë 4 mijë e 98 vota ose 25,58 për qind.

Vushtrri

Në komunën e Vushtrrië gara për balotazh do të zhvillohet mes Ferit Idrizi nga PDK i cili kishte fituar në raundin e parë 10 mijë e 247 vota ose 34,81 për qind dhe Xhafer Tahiri nga LDK i cili kishte marrë 9 mijë e 956 vota ose 33,82 për qind.

Drenas (Gllogoc)

Në komunën e Drenasit, gara do të zhvillohet mes Ramiz Lladrovci nga PDK i cili në raundin e parë kishte fituar 10 mijë e 419 vota ose 45,50 për qind dhe Driton Ajazi nga Demokratet për Drenasin i cili kishte marrë 6 mijë e 984 vota ose 30,50 për qind.

Istogu

Për komunën e Istogut garojnë Ilir Ferati nga LDK i cili në raundin e parë kishte marrë 7 mijë e 974 vota ose 41,9 për qind dhe Bekë Berisha nga AAK i cili kishte marrë 5 mijë e 140 vota ose 26,49 për qind.

Klinë

Balotazhi në komunën e Klinës do të zhvillohet mes Zenun Elezaj nga AAK i cili në raundin e parë kishte fituar 7 mijë e 531 vota ose 43,33 për qind dhe kandidatit nga PDK, Esat Raci i cili kishte marrë 4 mijë e 766 vota ose 27,42 për qind. 

Obiliq(Kastriot)

Në komunën e Obiliqit gara në balotazh do të zhvillohet mes Xhafer Gashi nga Iniciativa Qytetare për Obiliqin i cili në raundin e parë të zgjedhjeve kishte fituar 5 mijë e 975 vota ose 48,12 për qind dhe Halil Thaçit nga LVV i cili kishte marrë 2 mijë e 507 vota ose ndryshe 20,19 për qind.

Kaçanik

Në komunën e Kaçanikut, garojnë Besim Ilazi nga PDK i cili në raundin e parë kishte marrë 7 mijë e 111 vota ose 44,67 për qind dhe Jeton Raka nga LVV që kishte marr 5 mijë e 311 vota ose 33,36 për qind.

Rahovec

Për Rahovec në garë janë Smajl Latifi nga AAK i cili kishte fituar në raundin e parë 10 mijë e 144 vota ose 47,18 për qind dhe Visar Korenica nga LVV i cili kishte marrë 5 mijë e 341 vota ose 24,84 për qind.

Kamenicë

Për komunën e Kamenicës në garë janë Qendron Kastrati nga Partia Socialdemokrate(PSD) i cili në raundin e parë kishte fituar 5 mijë e 408 vota ose 32,52 për qind dhe Kadri Rahimaj nga LVV i cili kishte marrë 5 mijë e 156 vota ose 31,01 për qind.

Shtime

Në komunën e Shtimes, në balotazh ballafaqohet kandidati i LVV-së, Qemajl Aliu i cili në raundin e parë kishte fituar 5 mijë e 964 vota ose 45,29 për qind dhe Naim Ismajli i PDK-së i cili kishte marrë 5 mijë e 824 vota ose 44,23 për qind.

Viti

Për komunën e Vitisë në raundin e dytë gara zhvillohet mes Sokol Haliti nga LDK i cili në raundin e parë kishte marrë 8 mijë e 326 vota ose 41,30 për qind dhe Arsim Ademi nga LVV i cili kishte marrë 6 mijë e 955 vota ose 34,50 për qind.

Malishevë

Në qytezën e Malishevës gara do të zhvillohet mes Ekrem Kastrati nga Nisma Socialdemokrate më 7 mijë e 548 vota ose 34,8 për qind dhe Isni Kilaj nga PDK i cili kishte marrë 6 mijë e 383 vota ose 28,82 për qind.

Junik

Edhe në qytezën e Junikut në raundin e dytë do të zhvillohet gara për të parin e komunës. Gara do të jetë mes Agron Kuçit nga AAK që ka fituar në raundin e parë të zgjedhjeve 1 mijë e 419 vota ose 45,19 për qind dhe Ruzhdi Shehu nga LDK i cili kishte marrë 1 mijë e 319 vota ose 42,1 për qind.

Mamushë

Në qytezën e Mamushës, gara do të zhvillohet mes Abdulahadi Krasnic nga KDTP i cili ka fituar 1 mijë e 430 vota ose 48,92 për qind, dhe Arif Butuc nga KATP i cili i kishte marrë 1 mijë e 80 vota ose 36,95 për qind.

Kllokot

Komuna me më së paku votues është ajo e Kllokotit, me gjithsejtë 3 mijë e 675 votues me 5 qendra të votimit dhe 7 vendvotime.

Në këtë komunë balotazhi do të zhvillohet mes Vladan Bogdanoviç nga Lista Serbe(LS) i cili kishte fituar 789 vota ose 41,01 për qind dhe Strahinja Spasiç nga GISNS që në raundin e parë kishte marrë 699 vota ose 36,33 për qind.

Komunat që fituan në raundin e parë

Komunat të cilat kanë shënuar fitore në raundin e parë të zgjedhjeve lokale janë: Deçani, Mitrovica Jugore, Leposaviqi, Lipjani, Novobërda, Peja, Shtërpca, Suhareka, Ferizaj, Zubin Potoku, Zveçani, Hani i Elezit, Graçanica, Ranillugu, Parteshi, Mitrovica Veriore dhe Skenderaj.

Në Deçan ka fituar (AAK), Bashkim Ramosaj, në Mitrovicën e Jugut, (PDK), Bedri Hamza, në Pejë, (LDK), Gazmend Muhaxheri, LDK, në Skenderaj, (PDK), Fadil Nura, në Suharekë, (AAK), Bali Muharremaj, në Ferizaj, (PDK), Agim Aliu, në Han të Elezit, (PDK), Mehmet Ballazhi, në në Lipjan, (LDK), Imri Ahmeti, Leposaviq, (LS), Zoran Tadiç, në Novoberdë, (LS), Sasa Miloseviç, në Shtërpcë, (LS), Dalibor Jevtiç, në Zubin Potok, (LS), Srdjan Vuloviç, në Zveçan, (LS), Dragisa Miloviç, në Graçanicë, (LS), Liljana Subariç, në Ranillugë, (LS), Katarina Rastiç, në Partesh, (LS), Dragan Petkoviç dhe në Mitrovicën e veriut, (LS), Milan Radojeviç.

Ilustrim – Raundi i dytë i Zgjedhjeve Lokale në Kosovë – 14 nëntor 2021

Historik i zgjedhjeve lokale në Kosovë

Kosova organizon për herën e tetë zgjedhjet lokale në vend që nga viti 2000, ndërsa pas pavarësisë së vendit zgjedhjet e 17 tetorit janë të gjashtat.

Deri në vitin 2007 Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nuk njihte kundërshtarë. Pastaj, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) mori pushtetin dhe për dy mandate nuk e lëshoi. Në anën tjetër, edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e kishte ngritur votën e saj, pastaj edhe Lëvizja Vetëvendosje po ashtu.

Zgjedhjet lokale  2009 

Në zgjedhjet lokale të vitit 2009, ishte PDK-ja ajo që fitoi shumicën e komunave në Kosovë, kurse LDK kishte fituar kryeqytetin.

PDK kishte fituar në raundin e parë në pesë komuna; në Drenas, Skenderaj, Ferizaj, Shtime dhe Zubin Potok, komunë kjo me shumicë serbe, por serbët nuk kishin marrë pjesë në zgjedhje.

LDK-ja kishte fituar në Prishtinë, Podujevë dhe Fushë Kosovë.

AAK-ja kishte fituar në Deçan dhe Gjakovë dhe kryesonte me vota komunat veriore me shumicë serbe, Zveçan e Leposaviq, ku pjesëmarrja e votuesve serbë ishte shumë e vogël.

Zgjedhjet lokale  2013

Në zgjedhjet e vitit 2013, kryeqytetin e kishte fituar Lëvizja Vetëvendosje. Ndërsa LDK i kishte fituar tri komuna të mëdha, Gjilanin, Ferizajn dhe Pejën.

PDK kishte fituar në Prizren, mirëpo kishte humbur komunën e Mitrovicës, e cila do të udhëhiqet nga Aleanca për Kosovën e Re (AKR), AKR. Kjo parti kishte fituar edhe në qytetin e Gjakovës.

Rezultatet e subjekteve politike në qytetet e mëdha të vendit ishin disi të balancuara.

Zgjedhjet lokale  2017

Fituesja më e madhe e zgjedhjeve në zgjedhjet lokale të vitit 2017 ishte LDK.

Pas raundit të dytë të zgjedhjeve, Lidhja Demokratike e Kosovës fitoi 8 komuna. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 7 komuna apo 4 më shumë se sa që i kishte në mandatin paraprak. Partia Demokratike e Kosovës i kishte fituar vetëm 5 komuna, por që kishte rikthyer qytetin e Ferizajt, ndërsa e kishte humbur Prizreni në një garë shumë të ngushtë me Lëvizjen Vetëvendosje. Kurse LVV kishte fituar tre komuna.

Nisma dhe AKR kishin fituar nga një komunë, ndërsa dy komuna do të qeveriseshin nga kandidatë të pavarur.

LDK nga viti 2017 ka udhëheq me qytetin e Pejës, Lipjanit, Fushë Kosovës, Vitisë, Gjilanit, Istogut, Vushtrrisë dhe Podujevën (komuna e cila shkoi në zgjedhje të parakohshme dhe e fitoi LVV në vitin 2020).

AAK ka udhëhequr deri më tani me Deçanin, Junikun, Gjakovën, Klinën, Suharekën, Rahovecin dhe Obiliqin (Kryetari i kësaj komune tashmë që ishte nga ky subjekt politik, në zgjedhjet e 17 tetorit ka kandidua si Iniciativë qytetare).

PDK deri më tani ka udhëhequr me qytetin e Drenasit, Dragashit, Kaçanikut, Shtimes dhe Ferizajn.

Ndërsa, Lëvizja Vetëvendosje kishte udhëhequr me Prishtinën (por pas ndarjes së partisë-Kryetari i kryeqytetit ishte tërhequr duke u bë pjesë e Partisë Socialdemokrate), Prizrenin dhe Kamenicën (gjithashtu, edhe kryetari i kësaj komune ishte tërhequr duke u bë pjesë e Partisë Socialdemokrate).

Nisma socialdemokrate ka udhëhequr me qytetin e Malishevës, AKR me qytetin e Mitrovicës së Jugut (por kryetari i kësaj komune kishte kaluar në LVV dhe në zgjedhjet e 17 tetorit ka garuar nga ky subjekt politik).

Dy qytete deri më tani janë udhëhequr nga kandidatë të pavarur, qyteti i  Skenderajt dhe qyteti i Hanit të Elezit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore