Shqipëria

Zgjedhjet e pjesshme lokale: 654 mijë e 538 zgjedhës në total – 10 mijë shtetas votojnë për herë të parë


Zgjedhjet e pjesshme lokale që do të zhvillohen më 6 mars do të çojnë para kutive të votimit 10 mijë e 134 zgjedhës për herë të parë.

Ndërkaq, numri total i votuesve do të jetë 654 mijë e 538.

135 shtetas nuk janë përfshirë në lista për shkak të dekriminalizimit.

Ndërsa, numri i qendrave të votimit është 941.

Lista përfundimtare e zgjedhësve përmbyll procesin e hartimit dhe shpalljes së Listës së Zgjedhësve.

Celibashi

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, mesditën e 26 janarit i bëri apel qytetarëve që të kontrollojnë vlefshmërinë e dokumenteve të tyre të identifikimit.

Apeli i tij ka ardhur për të gjithë ata që kanë të drejtën e votës në zgjedhjet e pjesshme lokale më 6 mars.

“Të gjithë qytetarët e bashkisë Dibër, Shkodër, Durrës, Rrogozhinë, Vorë dhe Lushnje, të cilët gëzojnë të drejtën e votës, dhe/ose mbushin 18 vjeç në datën 6 mars, nuk mund të votojnë për të zgjedhur kryetarin e bashkisë së tyre nëse dokumenti i identifikimi (kartë identiteti/pasaportë) nuk është i vlefshëm në datën e zgjedhjeve”, cilësohej në njoftimin e Celibashit.

Më tej ai theksoi se nuk mund të votohet pa një mjet identifikimi.

Celibashi u bëri thirrje qytetarëve se nëse vlefshmëria e dokumentit të identifikimit ka skaduar apo skadon në datën 6 mars, të mos e lënë për në momentin e fundit.

Presidenti

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, mëngjesin e 20 janarit, dekretoi datën e mbajtjes së zgjedhjeve të pjesshme lokale.

Kreu i shtetit vendosi që zgjedhjet të mbahen më 6 mars të këtij viti.

“Të dashur qytetarë, sapo dekretova caktimin e datës 6 mars 2022, për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar bashkie në Shkodër, Dibër, Durrës, Vorë, Rrogozhinë dhe Lushnjë. Uroj që ky proces të jetë një shembull i besimit te demokracia dhe vota e lirë”, shkruan Meta në postimin e tij në median sociale Facebook.

Vendimi erdhi pasi presidenti mori edhe aprovimin e Celibashit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore