Lajme

Zgjatet sërish afati për subvencione në bujqësi


Ilustrim.

Ministria e Bujqësisë, ka bërë të ditur se sërish e ka shtyrë afatin për aplikim për subvencione.

Lajmi është bërë i ditur nga ky dikaster përmes një komunikate për media.

“Shtyhet për herë të dytë e të fundit afati për aplikim në Programin për pagesa direkte/subvencione 2023. Zgjatja e këtij afati bëhet për 7 ditë përkatësisht nga data 7 prill 2023 deri më 14 prill 2023 në ora 16:00. Punë të mbarë e të bereqetshme”, thuhet në njoftimin e së enjtes.

Shtyrja e afatit për aplikim të subvencioneve po bëhet për herë të dytë.

Ministria më 28 mars, kishte vendosur që afatin ta shtyj deri më 6 prill.

Ndërsa nga opozita vazhdimisht është kërkuar që të ketë rritje të subvencioneve në sektorin e bujqësisë.

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, kishte kërkuar nga Qeveria e Kosovës gjegjësisht Ministria e Bujqësisë të rrisë urgjentisht subvencionet për hektar të kulturave bujqësore, për krerë të bagëtive dhe për litër të qumështit.

Ndryshe në muajin janar, Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, kishte bërë të ditur se Qeveria e Kosovës kishte aprovuar Programin për Pagesa Direkte për bujqit dhe fermerët.

Sipas këtij programi, i cili sipas tij po lansohej për herë të parë gruri do të subvencionohej për 474 euro për hektarë, misri 329 euro për hektarë, patatja 654 euro për hektarë, fasulja 654 euro për hektarë, ndërkohë që tha se kultura pemëtarë 504 euro për hektarë.

Ndërsa perimet në sipërfaqe të hapura, sipas ministrit, do të subvencionoheshin 554 euro për hektarë, ndërsa të mbyllura 940 euro për hektarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore