Shqipëria

Zgjatet me 3 muaj afati i hetimit për Alda Klosin, avokati: S’kanë prova


Gjykata e Tiranës ka shtuar edhe me 3 muaj të tjera afatet e hetimit për ish-zyrtaren e Ministrisë së Financave, Alda Klosi e cila akuzohet për pastrim parash dhe fshehje pasurie.

Avokati i saj Arbër Hoxha tha se ajo po mbahet padrejtësisht në burg pasi sipas tij akuza nuk ka asnjë provë, përveç dëshmisë së sanitares Rozeta Dobi.

Lidhur me hetimet që SPAK po kryen për inceneratorët dhe përmendjen disa herë të emrit të Alda Klosit në dosjen e Arben Ahmetaj, sipas avokatit, deri tani nuk ka asnjë procedim penal mbi këtë çështje mbi Klosin dhe kjo e fundit nuk është marrë asnjëherë në pyetje për këtë çështje.

“Besohet më shumë një pastruese që është gjetur duke vjedh dhe nuk besohet një drejt e financave. Secili prej nesh mund të deklaronte ca do lloj gjëje që mund të vinte. Nuk ka ndodhur asgjë me tepër, secili ka mbajtur qëndrimin. Vetëm, 130 mijë euro të deklaruara janë të Klosit, pjesën tjetër ta gjejë prokuroria. Deri më sot nuk ka asnjë provë tjetër”, tha avokati.

Kujtojmë se Klosi ka kërkuar lirimin në Gjykatën e Tiranës, me argumentin se ka probleme shëndetësore dhe se ka fëmijët në kujdestari.

Gjykata e Tiranës vendosi më herët masën “arrest në burg” për Klosin e cila u arrestua nga Policia nën akuzën për “pastrim parash”, “fshehje pasurie” dhe “deklarim të rremë”.

Klosi u arrestua në orët e para të 4 janarit nga Policia e Tiranës me urdhër të Prokurorisë.

Gjithçka nisi pas denoncimit për vjedhjen e banesës te “Rruga e Kosovarëve” nga ish zyrtarja shtetërore, të cilët duket se zbulimi i vjedhjes së shtëpisë i ka sjellë edhe pasoja hetimore.

Në burg ra sanitarja e shtëpisë së saj, Rozeta Dobi dhe i biri Havier Dobi.

Ata u akuzuan se kishin vjedhur 120 mijë euro në banesën e ish-zyrtares së shtetit dhe më pas u zbulua edhe një shumë tjetër e vjedhur nga ata, por ende pa pronar – 400 mijë euro.

Klosi deklaroi se 120 mijë eurot që ia kishin vjedhur, ishin të familjes së xhaxhait të saj që rrinte në Amerikë, i cili ia kishte lënë për të kompletuar shtëpinë dhe për nevoja pasi ai ishte i sëmurë me kancer.

Kështu, 400 mijë eurot ende nuk kanë një pronar, vetë Klosi ka deklaruar se shifra që ajo posedonte ishte 120 mijë euro, por shuma kap një vlerë shumë të lartë krahasuar me të ardhurat e saj si e punësuar në shtet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore