Shqipëria

“Zero akuzë, zero lidhje”, thotë Rama për rastin “McGonigal”


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar sërish për arrestimin e ish-zyrtarit të FBI-së, Charles McGonigal duke theksuar se ndaj tij dhe Qeverisë shqiptare ka “zero akuzë dhe zero lidhje”.

Lajmi u bë i ditur gjatë një konference për mediat pas takimit me drejtuesit e qarqeve.

“Kjo është një çështje e hetuar nga drejtësia amerikane, që nuk nxjerr vendime për vrasje pa autor apo vrasje nga pakujdesia kur vrasjet bëhen nga dritaret e institucioneve shtetërore dhe nuk ia përton askujt. Në rastin konkret ka zero akuzë dhe zero lidhje mes çështjes që diskutohet dhe meje dhe qeverisë shqiptare”, u shpreh Rama.

Opozita, konkretisht Sali Berisha dhe Enkelejd Alibeaj kanë përmendur takimet e McGonigal me kryeministrin Edi Rama, dhe akuzat për fshehjen e 225 mijë dollarë – pagesa që amerikani i pati marrë nga një burim i jashtëm, person me të cilin pati udhëtuar së bashku në Evropë.

Ky person, nga hetimet e mediave botërore, është një shtetas shqiptar, me profesionin ish-zyrtar i shërbimeve të zbulimit.

Departamenti i Drejtësisë thotë se McGonigal gjithashtu fshehu nga FBI-ja detajet e udhëtimit që bëri në Shqipëri në vitin 2017, së bashku me ish-zyrtarin e inteligjencës shqiptare, nga i cili kishte marrë paratë.

“Sipas aktakuzës me nëntë pika, nga gushti 2017 dhe duke vazhduar deri në pensionimin e tij nga FBI në shtator 2018, McGonigal fshehu nga FBI natyrën e marrëdhënies së tij me një ish-oficer sigurie të huaj dhe një biznesmen që kishte interesa në vendet e huaja”, shkruhet në vendimin e departamentit.

Jo vetëm kaq, për amerikanët ky individ shërbeu si një burim i FBI-së në një hetim penal që përfshinte lobim politik të huaj mbi të cilin McGonigal kishte përgjegjësi zyrtare mbikëqyrëse.

Zëri i Amerikës këtë të martë të 24 janarit ka specifikuar se McGonigal pasi mbërriti në Shqipëri u takua me kryeministrin shqiptar dhe e dekurajoi atë për dhënien e licencave për kompani ruse guackë për kërkime për naftë në vend.

Por, duhet theksuar se në Washington, McGonigal akuzohet vetëm për fshehjen e lidhjeve që kishte me personin që dekada më parë ka punuar për një agjenci të inteligjencës shqiptare, duke përfshirë marrjen e 225 mijë dollarëve në pagesa.

Sa i takon reagimit shqiptar, akuzat janë mohuar edhe më herët nga Qeveria, e cila ka reaguar shtatorin e kaluar nëpërmjet kreut të saj, Edi Ramës.

“Çështja nuk ka asnjë lidhje me mua, me qeverinë shqiptare, nuk ka lidhje me asnjë biznes të çfarëdollojshëm”, garantoi Rama.

Sipas kryeministrit, McGonigal ka qenë dhe mbetet miku i tij.

“Nëse ai ka një çështje me drejtësinë amerikane, lëreni të flasë drejtësia në Shtetet e Bashkuara. Unë nuk kam asnjë problem, për sa kohë qëndroj në këtë detyrë i marr parasysh të gjitha”, shtoi kreu i qeverisë shqiptare.

Ndërsa deri vonë qarkullonin fjalë, ish-zyrtari i FBI-së akuzohet për shkeljen e sanksioneve amerikane, komplot dhe pastrim parash në vitin 2021 për punën me oligarkun rus Oleg Deripaska, i cili u sanksionua për ndërhyrje në vitin 2016 në zgjedhjet presidenciale në SHBA.

Prokurorët pretendojnë se McGonigal dhe Sergey Shestakov, një ish-diplomat rus, i cili së fundmi ka punuar si përkthyes në gjykatat federale, kanë shkelur sanksionet e SHBA-ve duke gërmuar dhe shpikur papastërti mbi rivalin e Deripaskës në kohën kur ai ishte tashmë i sanksionuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore