Përballje

Zeneli përsëri protagonist në fitoren e Reims


Futbollisti i Kosovës, Arbër Zeneli, ishte përsëri protagonist në fitoren e rëndësishme që skuadra e tij, Reims, e mori ndaj Auxerre.

Zeneli dhuroi asistimin te goli i parë i Reims, sfidë kjo e cila u mbyll me rezultat 2:1, e vlefshme për javën e 12-të në Ligue 1.

Reprezentuesi i Kosovës asistoi në minutën e 28-të për shokun e tij të skuadrës, Folarin Balogun, i cili kaloi në epërsi vendasit.

Megjithatë, skuadra e Zenelit nuk mundi ta ruante më shumë se pesë minuta këtë epërsi, kur në minutën e 33-të barazoi shifrat ish-sulmuesi i Milan-it, M’Baye Niang.

Por, vendasit nuk u dorëzuan, të cilët shënuan edhe golin e epërsisë dy minuta para fundit të ndeshjes me anë të japonezit, Junya Ito.

Me këtë fitore, skuadra e Reims mban vendin e 14-të me 12 pikë, aq sa ka edhe Auxerre një vend më poshtë.

Ndërsa për Zenelin ky ishte asistimi i dytë në tetë ndeshje sa është paraqitur me fanellën e Reims.

Ndërkaq, sa i përket ndeshjeve të ditës së diele në kampionatin francez, minuta pati edhe për lojtarin tjetër të Kosovës, Elbasan Rashanin.

Rashani u inkuadrua në minutën e 25-të te skuadra e tij, Clermoont, e cila u mposht me rezultat 1:3 ndaj Brest.

Elbasani mori vendin e Maxime Gonalons që u lëndua, por nuk arriti të lërë gjurmë në këtë ndeshje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore