Lajme

Zemërimi mund të sjellë rezultate më të mira kur keni detyra të ndërlikuara


Studiuesit kanë zbuluar se zemërimi mund të jetë një motivues i fuqishëm.

Eksperimentet sugjerojnë se njerëzit që janë të zemëruar performojnë më mirë në një sërë detyrash sfiduese sesa ata që janë emocionalisht neutralë.

“Këto gjetje tregojnë se zemërimi rrit përpjekjet drejt arritjes së një qëllimi të dëshiruar, duke rezultuar shpesh në sukses më të madh”, ka thënë Heather Lench, autorja e parë e studimit.

Studimi, i botuar në Journal of Personality and Social Psychology, detajon se si studiuesit në Universitetin A&M të Teksasit kryen eksperimente që përfshinin më shumë se 1 mijë njerëz dhe analizuan të dhënat e anketës nga më shumë se 1 mijë e 400 njerëz.

E gjitha kjo, për të eksploruar ndikimin e mundshëm të zemërimit te njerëzit në rrethana të ndryshme.

Në një eksperiment, studentëve iu treguan imazhe të gjetura më parë për të shkaktuar zemërim, dëshirë, argëtim, trishtim ose aspak emocione të veçanta. Më pas pjesëmarrësve iu kërkua të zgjidhnin një seri anagramesh.

Rezultatet tregojnë se për një grup sfidues anagramesh, ata që ishin të zemëruar dolën më mirë se ata në gjendjet e tjera të mundshme emocionale.

Sipas studiuesve, një shpjegim mund të jetë për shkak të një lidhjeje midis zemërimit dhe këmbënguljes më të madhe.

Ekipi zbuloi se ata që ishin të zemëruar shpenzonin më shumë kohë në grupin e vështirë të anagrameve.

Një eksperiment sugjeroi se të qenit i zemëruar rrit shkallën në të cilën pjesëmarrësit mashtruan në detyra krahasuar me emocionet e tjera – përveç argëtimit.

Kurse një eksperiment tjetër zbuloi se zemërimi shoqërohej me kohë më të ulëta reagimi në një detyrë.

Përgjigjet ndaj sondazheve rreth zgjedhjeve të përgjithshme në SHBA 2016 dhe 2020 sugjeruan se njerëzit që ishin më të zemëruar për një fitore hipotetike të një kandidati presidencial që nuk e mbështesnin, kishin më shumë gjasa të votonin në zgjedhjet pasuese.

“Njerëzit shpesh preferojnë të përdorin emocionet pozitive si mjete më shumë sesa negative dhe priren t’i shohin emocionet negative si të padëshirueshme”, ka thënë Lench.

“Kërkimi ynë i shton provave në rritje se një përzierje e emocioneve pozitive dhe negative promovon mirëqenien dhe se përdorimi i emocioneve negative si mjete mund të jetë veçanërisht efektiv në disa situata”.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore