Lajme

Zemërimi i Nasrallahut: Izraeli i shkeli të gjitha vijat e kuqe


Udhëheqësi i Hezbollahut të Libanit tha se sulmi i fundit masiv ishte një “goditje e rëndë” dhe se Izraeli kishte kaluar “vijën e kuqe”.

Por ai theksoi se grupi do të vazhdojë sulmet e tij të përditshme në veri të Izraelit, duke u zotuar se izraelitët nuk do të jenë në gjendje të kthehen në shtëpitë e tyre atje derisa të përfundojë lufta në Gaza.

Ndërsa Hassan Nasrallah foli në një fjalim televiziv nga një vend i panjohur, Hezbollahu dhe ushtria izraelite shkëmbyen sulme të reja mbi kufirin dhe të paktën dy ushtarë izraelitë u vranë.

Avionët luftarakë izraelitë fluturuan gjithashtu ulët mbi Bejrut dhe thyen barrierën e zërit, duke i shtyrë njerëzit në shtëpi dhe zyra të hapnin shpejt dritaret për të parandaluar që ato të thyheshin.

Frika po rritet se 11 muaj shkëmbime zjarri midis dy palëve do të përshkallëzohen në luftë gjithëpërfshirëse, veçanërisht pas bombardimeve të paprecedentë të kësaj jave.

Të paktën 37 njerëz u vranë dhe rreth 3 mijë u plagosën në shpërthimet, të cilat dukej se ishin kulmi i një operacioni mujor nga Izraeli për të shënjestruar sa më shumë anëtarë të Hezbollahut të gjithë menjëherë, por që gjithashtu goditi civilët.

Sulmi erdhi pasi udhëheqësit izraelitë kanë paralajmëruar se mund të nisin një operacion të përforcuar ushtarak kundër Hezbollahut.

Nasrallah tha se grupi po heton se si u kryen bombardimet.

“Po, ne iu nënshtruam një goditjeje të madhe dhe të rëndë”, tha ai.

“Armiku i ka kaluar të gjithë kufijtë dhe vijat e kuqe”.

Duke vënë në dukje numrin e radiove, ai akuzoi Izraelin se synonte të vriste mijëra njerëz në të njëjtën kohë.

“Armiku do të përballet me një ndëshkim të ashpër dhe të drejtë”.

Ndërsa ai fliste, Hezbollahu njoftoi të paktën katër sulme në veri të Izraelit, ndërsa sulmet izraelite u raportuan në Libanin jugor.

Më herët të enjten, Hezbollah tha se kishte shënjestruar tre pozicione ushtarake izraelite pranë kufirit, dy prej tyre me dronë.

Spitalet izraelite raportuan tetë persona të plagosur lehtë ose mesatarisht. Gjatë natës, ushtria tha se goditi disa vende të militantëve në Libanin jugor,

Hezbollahu thotë se zjarri i tij pothuajse i përditshëm është një shfaqje mbështetjeje për Hamasin.

Lufta 11-mujore e Izraelit me Hamasin në Gaza filloi pasi militantët e tij udhëhoqën sulmin e 7 tetorit ndaj Izraelit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore