Lajme

Zemaj kritikon Qeverinë për menaxhimin e COVID-19, fton ministrin Vitia në raportim


Ish-ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Armend Zemaj

Ish-ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Armend Zemaj, e ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për menaxhimin e situatës me pandeminë, duke thënë se Qeveria e udhëhequr nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk e ka pasur prioritet pandeminë dhe si qeveri ka dështuar në menaxhim të situatës.

Zemaj në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, ku është edhe zëvendës kryetari i parë i këtij komisioni, i ka bërë ftesë Ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, për raportim. Kësaj ftese i janë përgjigjur edhe të gjithë anëtarët e tjerë të komisionit duke përfshirë opozitën dhe pozitën.

“Menaxhimit i distrubuimit të dobët të vaksinave, humbja e numrit të konsiderueshëm e tyre, të gjitha këto tregojnë se qeveria ka qenë neglizhuese në këtë drejtim. Qeveria e Kosovës, ministri Vitia, kryeministri Kurti kanë dështuar totalisht në menaxhimin e situatës pandemike”, ka thënë Zemaj.

“Duhet ta ftojmë ministrin në një raportim shumë të shpejt. Ai e ka për obligim dhe borxh moral që të vijë para komisionit dhe të deklarojë pse ka ardhur deri të kjo gjendje, cilat janë veprimet që të vihet situata në kontroll”, shtoi ai.

Në anën tjetër, deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka kërkuar që në mbledhjen e radhës të komisionit të jetë prezent edhe ministri Vitia.

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu

Ai e ka akuzuar Qeverinë e Kosovë për “heshtje institucionale” në raport me menaxhimin e situatës me pandeminë COVID-19.

“Si është e mundur të ketë një heshtje të tillë institucionale? Nuk ka pasur asnjë reagim e veprim të institucioneve përgjegjëse. Në kohën kur është dashur të ketë mobilizim ka ndodhur eskalimi më i madh i pandemisë”, ka thënë Haxhiu.

Madje ai e ka kritikuar qeverinë për shkak të pauzimit në ditët e vikendeve kur procesi i vaksinimit nuk ka qenë duke u zbatuar.

“Qeveria ka gjetur kohë të pushojë e të pauzojë vikendeve për mos vaksinim. Por më keq për shkak të këtij pauzimi është dashur të hedhen në mbeturina 130 mijë doza të vaksinave. Kjo tregon më së miri për neglizhencën e qeverisë në trajtimin e pandemisë, dështim total i cili e ka sjellë vendin në katastrofë shëndetësore”.

Po ashtu edhe deputeti Shemsedin Dreshaj nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë se pajtohet që të ftohet ministri Vitia për raportim në komision.

Deputeti Shemsedin Dreshaj nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës

“Pajtohem që ministri të thirret në diskutim e të bisedojmë më të, sepse poenta është se çfarë mund të bëjmë të gjithë së bashku”, ka thënë ai.

Ndërkaq, Deputeti i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Haxhi Avdyli, ka thënë se Kosova është më mirë e përgatitur në përballje me Coronavirusin tash, në krahasim me një vit më herët.

Deputeti i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Haxhi Avdyli

“Varianti Delta po sillet në mënyrë agresive, por është një gjendje pak më e mirë se në vitin e kaluar. Kapacitetet spitalore janë shumë më të përgatitura se sa që ishin vitin e kaluar. Ka një kapacitet të shtuar, pacientët nuk po vuajnë për oksigjen, për trajtim e mungesë të shtretërve”, ka thënë Avdyli.

Derisa edhe Avdyli është pajtuar që ministri i shëndetësisë të paraqitet në komision për raportim në lidhje me menaxhimin e situatës pandemike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore