Lajme

Zelensky: Vizita e Erdoganit në Ukrainë, mesazh i fuqishëm


Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka vlerësuar vizitën e parë në Ukrainë që nga fillimi i luftës të homologut turk, Recep Tayyip Erdogan, i cili ndihmoi në ndërmjetësimin e një marrëveshjeje mes Kievit dhe Moskës.

“Vizita e Presidentit të Turqisë në Ukrainë është një mesazh i fuqishëm mbështetjeje nga një vend kaq i fuqishëm”, tha Zelensky.

Po ashtu ai u ka bër thirrje Kombeve të Bashkuara që të garantojnë sigurinë në termocentralin Zaporizhzhia, ku luftimet e shtuara kanë ngritur frikën për një incident bërthamor.

“OKB-ja duhet të sigurojë çmilitarizimin e tij dhe çlirimin e tij të plotë nga trupat ruse”, tha Zelensky në një deklaratë pas takimit me shefin e OKB-së Antonio Guterres në Lviv.

Udhëheqësi ukrainas kritikoi gjithashtu sulmet e “qëllimshme” ruse në objekt.

Ukraina dhe Rusia kanë akuzuar njëra-tjetrën për shënjestrimin e centralit bërthamor të Zaporizhzhia, më i madhi në Evropë, të cilin Rusia e kapi marsin e kaluar.

Tensionet rreth termocentralit kanë nxitur frikën globale për një fatkeqësi bërthamore.

Të dy krerët diskutuan gjithashtu eksportet e grurit, pasi një marrëveshje e ndërmjetësuar nga OKB dhe Turqia lejoi rifillimin e tyre këtë muaj.

Eksportet ishin bllokuar pas pushtimit rus të Ukrainës.

“Ne ramë dakord të vazhdojmë koordinimin e zbatimit të nismës së grurit”, tha Zelensky.

Anija e parë që u nis sipas marrëveshjes u largua nga Ukraina më 1 gusht. Që atëherë, 25 anije mallrash kanë lundruar nga portet e Ukrainës.

Rusia dhe Ukraina janë dy nga eksportuesit më të mëdhenj të grurit në botë.

Ndalimi i eksporteve çoi në rritje të çmimeve globalisht për shkak të frikës së mungesës së gjerë të ushqimit, veçanërisht në vendet e varfra.

Zelensky dhe Guterres folën gjithashtu për deportimet e ukrainasve në Rusi dhe për lirimin e personelit ushtarak dhe mjekëve të zënë rob nga Rusia, sipas Zelensky.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore