Lajme

Zelensky me fjalim historik në OKB – Akuzon Rusinë për gjenocid, terror bërthamor dhe kthimin e ushqimit në armë


Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka mbajtur një fjalim historik në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ku si kreu i shtetit të vendit që po lufton për parimin e demokracisë botërore, ka lëshuar akuza tejet të forta karshi palës kundërshtare, agresorëve rusë.

Duke e quajtur një gjenocid të vërtetë atë që Moska bën, me rrëmbimin e fëmijëve nga Ukraina forcësisht, ai i ka bërë thirrje të gjithë botës demokratike që të qëndrojnë pranë Kievit dhe t’i ndihmojnë ukrainasit në betejën e tyre të përbashkët.

“Ka dhjetëra mijëra fëmijë që ne e dimë se janë rrëmbyer nga Rusia,” thotë Zelensky, dhe “ne po përpiqemi t’i kthejmë fëmijët në shtëpi, por koha kalon. Çfarë do të ndodhë me ta?”

“Ata fëmijë në Rusi mësohen të urrejnë Ukrainën dhe të gjitha lidhjet me familjet e tyre janë prishur. Ky është padyshim një gjenocid”, shton ai.

Mbi sigurinë ushqimore, ai e qartëson se çfarë Rusia ka bërë me bllokadat e grurit, lidhet qartësisht me kthimin e lëndëve bazë ushqimore në armë lufte.

“Që nga fillimi i luftës në shkallë të gjerë, portet e Ukrainës janë bllokuar nga Rusia”, përshkruan ai. “Portet tona në lumin Danub mbeten objektivi i raketave dhe dronëve”.

Zelensky thotë se Rusia po përdor furnizime ushqimore për të ushtruar presion ndaj vendeve të tjera që të njohin territorin e pushtuar ukrainas si rus dhe ai falënderon ato vende që kanë blerë grurë ukrainas për t’i rezistuar atyre përpjekjeve.

Ndërsa, e ka të qartë se armët bërthamore, nuk mundet t’i lihet më në dorë pushtetarëve rusë si Vladimir Putin.

Ai thotë se shekulli i 20-të na mësoi të mos vendosim armë të shkatërrimit në masë dhe të promovojmë çarmatimin e plotë bërthamor.

Por Rusia ka ende burime bërthamore dhe “nuk ka të drejtë” të mbajë armë bërthamore, thotë ai, duke parë sjelljen e viteve të fundit.

Por, nuk ndalon me kaq, pasi aspekt tjetër të cilin bota duhet ta luftojë, është edhe ai i kthimit të inteligjencës artificiale në armë.

“Ne shohim qytete, shohim fshatra në Ukrainë, të fshira nga artileria ruse,” thotë ai. “Ne i dimë efektet e mundshme të përhapjes së luftës në hapësirën kibernetike. Falë Zotit, njerëzit nuk kanë mësuar ende se si të përdorin klimën si armë”, vazhdon ai, përpara se të listojë disa fatkeqësi natyrore të kohëve të fundit.

Më pas, e kthen fjalimin e tij për nga konflikti i Ukrainës.

“Kur e gjithë kjo po ndodh, një fatkeqësi e panatyrshme në Moskë vendosi të nisë një luftë të madhe dhe të vriste dhjetëra mijëra njerëz. Ne duhet ta ndalojmë atë”, bën thirrje Zelensky në mënyrë të vazhdueshme.

“Djallëzisë nuk mund t’i besohet. Pyesni Prigozhinin për këtë”, klith drejt mbylljes së fjalës, me shpresën se kjo që po i ndodh kombit të tij, do të jetë e fundit luftë në rruzullin tokësor.

“Slava Ukraini”, lë skenën!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore