Shqipëria

Zelensky mbërrin sot në Shqipëri, Policia në gatishmëri të plotë


Drejtori i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike, Rebani Jaupi, në një deklaratë për mediat ka dhënë detaje për masat e ndërmarra nga Policia e Shtetit sa i takon mbarëvajtjes së Samitit për Ukrainën dhe Ballkanin Perëndimor.

Në kuadër të këtij të fundit pritet që presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, të vizitojë mbrëmjen e sotme për herë të parë Shqipërinë.

Duke filluar nga kjo e martë, Tirana do të jetë nën masa të rrepta sigurie, ndërsa disa akse do të jenë të bllokuara në intervale të ndryshme kohore.

Jaupi ka paraqitur planin e ndalimit të qarkullimit në rrugët kryesore të kryeqytetit.

Kështu që prej ditës së sotme do të ketë bllokime të rrugëve me afat të shkurtër kohor.

Kjo për qëllime sigurie në rrugëkalimin e delegacioneve që vijnë nga aeroporti “Nënë Tereza” dhe pikat e tjera të kalimit kufitar në drejtim të Tiranës, në varësi të kohës së lëvizjes së tyre.

Një ditë më pas, nga ora 07:00 deri në largimin e delegacioneve pjesëmarrëse në aktivitetet e organizuara për Samitin, do të ketë ndalim pushimi dhe qëndrimi, duke filluar nga aeroporti “Nënë Tereza”, rruga e Rinasit – ish-sheshi “Shqiponja” – Unaza e madhe perëndimore, Rruga e Elbasanit, rrugët “Dervish Hima”, “Faik Konica”, “Ismail Qemali”, “Gjergj Filipi”, “Lek Dukagjini”, “Papa Gjon Pali II” dhe bulevardi “Dëshmorët e Kombit.

Po ashtu më datë 28 do të ketë ndalim qarkullimi për automjetet, në fashat orare 08:00-11:00 dhe 15:30-17:30, nga aeroporti i Rinasit deri te ish-sheshi “Shqiponja dhe anasjelltas – Unaza e madhe perëndimore, Rruga e Elbasanit, rrugët “Dervish Hima”, “Faik Konica”, “Ismail Qemali”, “Gjergj Filipi”, “Lek Dukagjini”, “Jul Variboba” dhe “Fatmir Haxhiu”.

Më datë 29 nga ora 12:00 deri në orën 14:00 do të ketë ndalim qarkullimi, në Rrugën e Elbasanit, Unaza e madhe perëndimore – ish-sheshi “Shqiponja” – Qafë Kashar – Rinas-aeroporti “Nënë Tereza”.

Rrugët që përfshihen në perimetrin e sigurisë së aktiviteteve dhe takimeve të pjesëmarrësve në Samit, do të kenë ndalim qarkullimi nga ora 08:00 e datës 28 deri në orën 16:00 të datës 29 konkretisht:

Rruga “Dervish Hima” nga Rruga e Elbasanit deri tek Coin; Rruga “Papa Gjon Pali II”, nga RTSH deri tek Coin; Rruga “Abdyl Frashëri”, nga kryqëzimi i Librit Universitar deri tek Presidenca dhe Rruga “Ukraina e lirë”, nga Gjykata Kushtetuese deri tek Vila 30.

Pjesë e bllokimit do të jenë edhe Rruga “Themistokli Gërmenji”, nga Rruga e Elbasanit deri tek rruga “Papa Gjon Pali II”; Rruga “Faik Konica”, nga degëzimi i Ambasador 3 deri tek rruga “Dervish Hima”; Rruga “ Gjergj Filipi”, sheshi “Italia”, nga rruga “Faik Konica” deri tek hotel “Mariot”.

Masës nuk do t’i shpëtojë as Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga ura e ish-hotel Dajtit deri tek sheshi “Nënë Tereza”.

Policia thotë se për qytetarët që duan të shkojnë në aeroportin “Nënë Tereza”, më datë 28 dhe 29, gjatë fashës orare të bllokimit të rrugëve, do të ndjekin rrugë alternative.

Konkretisht: Vorë – Fushë Prezë – Rinas dhe kthim; Fushë Krujë – Valias – Rinas dhe kthim; nga Juglindja dhe Tirana, do të ndjekin Unazën lindore – Farmacia 10 – Stacioni i Trenit – Bulevardi i Ri – Paskuqan – Kamëz – Valias – aeroporti “Nënë Tereza” dhe kthim në të njëjtin itenerar.

Jaupi tha se hyrja e gazetarëve, e automjeteve të mediave të akredituara nga shërbimet e sigurisë, si dhe e të ftuarve në Samit, do të bëhet nga rruga “Ismail Qemali” – RTSH – bulevardi “Dëshmorët e Kombit”- porta fundore e kontrollit të shërbimeve të Gardës së Republikës.

Tirana nën masa të larta sigurie për të pritur Zelenskyn

1 mijë e 500 forca policie, që përfshijnë Antiterrorin, Garda, FNSH, RENEA, efektivë të krimeve dhe rendit, por edhe të policisë Rrugore të Tiranës do të jenë të dislokuar në terren për mbarëvajtjen e samitit.

Garda dhe SHISH do të kenë agjentë të shumtë për të vëzhguar përveç terrenit edhe rrjetet sociale, nëse do ketë thirrje për destabilitet.

Ndërkohë, në të gjitha pikat kufitare janë dërguar të gjitha fotot e personave që dyshohet se kanë prirje ekstremiste të mos lejohen të futen në vendin tonë.

Sa i përket sigurisë së personaliteteve që do të jenë në samit prej ditësh në vendin tonë ndodhen edhe ekspertë të huaj, të cilët kanë asistuar ndihmën e tyre në shoqërimin me eskortë të personaliteteve të huaja nga Rinasi. Një grup i posaçëm do të merret me sigurinë e presidentit ukrainas.

Në terren nga policia do të jenë edhe grupet anti-eksploziv që vëzhgojnë rrugët kryesore dhe kanë në mbikëqyrje gjithë perimetrin e sigurisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore