Lajme

Zelensky i kërkon Trump-it të zbulojë planin e tij të paqes


Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i kërkoi Donald Trump-it të ndajë publikisht planet e tij të paqes nëse ish-presidenti amerikan ka një mënyrë për t’i dhënë fund luftës midis Ukrainës dhe Rusisë.

Por ai paralajmëroi se çdo plan paqeje sipas të cilit Kiev-i heq dorë nga territori do të ishte i papranueshëm.

“Pra, (nëse) ideja është se si të marrim një pjesë të territorit tonë dhe t’i japim (presidentit rus Vladimir) Putin, kjo nuk është formula e paqes”, tha Zelensky për Wolf Blitzer të CNN, pas fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Trump, gjatë një interviste për CNN në maj, nuk pranoi të thoshte se kush duhet të mbizotërojë në luftën e Rusisë kundër Ukrainës, në vend të kësaj deklaroi se donte që gjakderdhja të përfundonte.

“Dhe unë do ta bëj këtë për 24 orë”, thekson ai.

Trump, i pyetur në atë kohë nëse do të ishte një fitore për Putinin, tha: “E dini, kjo është diçka që mund të ishte negociuar. Sepse kishte disa pjesë, Krimea dhe pjesë të tjera të vendit, që shumë njerëz prisnin që mund të kishit bërë një marrëveshje. Pra, ata mund të kishin bërë një marrëveshje ku tani ka më pak territor se sa Rusia ka marrë tashmë, për të qenë i sinqertë”, shtoi ish-presidenti.

Udhëtimi i Zelensky-it në Kombet e Bashkuara vjen pasi Ukraina po përballet me erërat më të forta në SHBA deri më tani për mbështetjen për luftën.

Një fraksion i konferencës së Republikanëve (GOP) të Dhomës së Përfaqësuesve është haptazi armiqësor për t’i ofruar Ukrainës çdo ndihmë ushtarake shtesë dhe mbetet e paqartë nëse kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Kevin McCarthy do të jetë i gatshëm të nënshkruajë për më shumë fonde.

Zelensky tha se ai po planifikon të takohet me McCarthy-in kur ai të udhëtojë në Washington, DC, më vonë këtë javë. Ai është planifikuar gjithashtu të takohet me presidentin amerikan Joe Biden gjatë udhëtimit të tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore