Zelensky do takohet me Putin në Indonezi
albanianpost
11.10.2022 15:11Ministrja e Jashtme indoneziane Retno Marsudi konfirmoi se presidenti rus Vladimir Putin dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do të marrin pjesë në samitin e G20 në Bali.
“Përgjigja ndaj ftesës tonë është ende pozitive”, tha Marsudi në një konferencë për shtyp në Xhakarta.
Marsudi tha se ministria e saj “vazhdon të vendosë kontakte me krerët e dy shteteve”.
Kjo, duke shtuar se “situata aktuale botërore është e paqëndrueshme”.
Kryediplomatja vuri në dukje gjithashtu se qeveria indoneziane ka bërë çdo përpjekje për të siguruar që të gjitha vendet e ftuara të mund të marrin pjesë në samitin e G20.
G20 kryesohet këtë vit nga Indonezia, e cila organizon samitin më 15-16 nëntor në Bali.
Kujtojmë, sipas deklaratës së presidentit të Indonezisë Joko Widodo, Putin dhe lideri kinez Xi Jinping do të marrin pjesë në samitin e G20, i cili do të mbahet në ishullin Bali në nëntor.
Në gusht, Shtëpia e Bardhë deklaroi se Zelensky duhet të jetë i pranishëm nëse Putin është gjithashtu atje.
Vetë Zelensky deklaroi se pjesëmarrja e Ukrainës në samitin e vjeshtës të G20 do të varet nga situata e sigurisë në vend dhe nga përbërja e pjesëmarrësve të samitit.