Kosova

Zeka: ‘Zgjedhjet, definitivisht kanë ndikim negativ në ekonomi’


Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane të Kosovës, Arian Zeka

Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane të Kosovës (OEAK), Arian Zeka, ka deklaruar të enjten, se mbajtja e zgjedhjeve të shpeshta, po ndikon negativisht në rritjen ekonomike dhe tërheqjen e investimeve të huaja direkte.

Zeka, tha se investitorët, duan të dinë sigurinë juridike për ta, ose se çfarë do të prodhojë koalicioni i ri qeverisës. Kjo ka të bëjë, me aspektin e fuqizimit të sektorit privat dhe zhvillimit ekonomik.

Ai, bëri një krahasim të viteteve, ku tha se vitet zgjedhore, që prej vitit 2014, kanë qenë vite me norma më të ulëta ekonomike. Kjo, përsa i përket investimeve të huaja direkte. Edhe pse nuk është bërë një raport, në lidhje me investimet e huaja.

“Zgjedhjet definitivisht kanë ndikim negativ për sa i përket rritjes ekonomike dhe tërheqjes së investimeve të huaja direkte aq më keq që në rastin tonë që po mbahen pak më shumë se në një vit”.

Zeka, shtoi se partitë nuk kanë programe të detajuara ekonomike. Por vetëm ide të pastrukturuara, që burojnë nga një pjesë e programit.

“Nuk mund të flasim për krijim të vendeve të punës dhe për fuqizim të sektorit privat nëse nuk e adresojmë çështjen e edukimit”.

Sipas Zekës, edukimi, është brenga kryesore e ndërmarrjeve, në sektorin privat.

Si përfundim, Zeka, tha se duhet t’u ofrohet ndihmë bizneseve dhe punonjësve, të cilët kanë humbur vendet e punës. Vendimet, sipas tij, nuk duhet të lidhen me premtimet elektorale, që bëjnë partitë në fushata zgjedhore.

Kosova, brenda katër vitesh ka shkuar tre herë në zgjedhje parlamentare të parakohshme. Më 14 shkurt 2021, Kosova do të zhvillojë zgjedhjet parlamentare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore