Pajisje

Zbulohen kufjet e reja të realitetit të shtuar të Apple-it


Apple ka zbuluar kufjet e shumëpritura të realitetit të shtuar, Apple Vision Pro.

Shefi ekzekutiv Tim Cook ka thënë se kufjet e reja “përziejnë pa probleme botën reale dhe botën virtuale”.

Kufjet kanë një jetëgjatësi të baterisë dy orë, kushtojnë 3 mijë e 499 dollarë dhe do të dalin në treh në fillim të vitit të ardhshëm në SHBA.

Kostoja është dukshëm më e lartë se kufjet e realitetit virtual që janë aktualisht në treg. Javën e kaluar Meta njoftoi Quest 3 që kushtojnë vetëm 499 dollarë.

Apple Vision Pro duken ndryshe nga kufjet e ngjashme në treg dhe të kujtojnë më shumë një palë syze skijimi sesa kufje realiteti virtual.

Apple përdori shprehjen “realitet i shtuar” për të përshkruar atë që bën pajisja e re.

Realiteti i shtuar, i njohur gjithashtu si realiteti i përzier, mbivendos objektet virtuale në botën përreth nesh – duke na mundësuar të përziejmë realitetin me realitetin virtual duke parë përmes një ekrani.

Sakaq, përdoruesit mund të përdorin aplikacione, të shikojnë filma dhe të shkruajnë dokumente në një botë virtuale. Por deri më tani, ka pak prova për një treg të madh për këtë lloj teknologjie të veshur.

Hartley Charlton, redaktor i MacRumors, nuk është i sigurt se sa kufjet do të tërhiqnin publikun e gjerë.

“Nuk do të tërheqë konsumatorët e zakonshëm në fillim për shkak të çmimit jashtëzakonisht të lartë dhe mangësive të menjëhershme si një pajisje e gjeneratës së parë, siç është paketa e veçantë e baterisë”, ka thënë ai.

Por gjithashtu ka thënë se Apple-i ka një histori të “tejkalimit të skepticizmit” në lidhje me pajisjet e reja dhe ka inkurajuar historikisht njerëzit që “të ndajnë paratë e tyre për të shtuar një pajisje të re në repertorin e tyre”.

Cook ka thënë se kufjet i lejojnë përdoruesit të “shikojnë, dëgjojnë dhe ndërveprojnë me përmbajtjen digjitale ashtu si është në hapësirën tuaj fizike”.

Ato kontrollohen duke përdorur një kombinim të duarve, syve dhe zërit – të tilla si prekja e gishtave së bashku për të zgjedhur dhe lëvizja e tyre për të lëvizur.

Ndërkaq, njoftimi vjen një javë pasi Meta dhe Lenovo njoftuan përsëritje të reja të kufjeve të tyre ekzistuese të realitetit virtual, që nuk mbivendosin objektet në një pamje të botës reale.

Meta gjithashtu ka investuar shumë në realitetin e përzier, por tani sektori është në vështirësi.

Tregu i kufjeve pati një rënie prej 54 për qind në shitjet globale vitin e kaluar, sipas International Data Corporation.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore