Shqipëria

Zbulohen detaje nga vrasja në kodër Kamëz, në automjet u gjet një kallashnikov


Detaje të reja janë zbuluar pas vrasjes së ndodhur në kodër Kamëz, ku mbeti i vdekur një 35-vjeçar, pasi u qëllua brenda një automjeti me targa të huaja.

Sipas burimeve nga Policia e Shtetit, një makinë e gjetur në zonën e Institutit, dyshohet se u përdor nga autorët për kryerjen e atentatit. Automjeti ishte i targuar me targa të huaja, ndërsa po punohet për të verifikuar nëse ato ishin ose jo të regjistruara në një vend të huaj.

Një armë zjarri e tipit kallashnikov sakaq, është gjetur brenda veturës së djegur por mendohet se ajo nuk është edhe arma me të cilën u krye krimi.

Në atentat, dyshohet se kanë qenë të përfshirë tre persona. Dy kanë kryer rolin e qitësit dhe një të shoferit.

Ndërsa mbi pistoletën e përdorur, ajo mund të ketë qenë me silenciator, pasi nuk janë dëgjuar të shtëna në zonë.

Shtetasi i ekzekutuar, C.K., ishte banues në lagjen 1 të Bathores. Ai ka pasur precedentë të mëparshëm penalë, në fushën e krimeve kundër personat.

Sipas disa burimeve të tjera, ky shtetas ishte edhe shok me Erigers Mihasin, ndaj të cilit u krye një atentat në zonën e Astirit muajin e shkuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore