Lajme

Zbulohen bretkosa të rralla në Uellsin e Ri Jugor


Një specie e re bretkosash është zbuluar në zonën e trashëgimisë botërore të pyjeve tropikale, Gondwana, në Uellsin e Ri Jugor.

Bretkosa e vogël është 16 milimetra dhe gjendet në një mal në parkun kombëtar Wollumbin, tregon e përditshmja “The Guardian”.

Në Universitetin e Newcastle dhe Muzeun e Australisë Jugore, studiuesit përdorën analizat gjenetike për të identifikuar bretkosën si një specie të veçantë nga i afërmi i ngushtë Assa darlingtoni.

Ndryshe këto bretkosa njihen si me xhepa.

Bretkosat mashkullore mbajnë në këto xhepa të vegjlit në zhvillim në anët e trupit të tyre përpara se bretkosat e vogla të dalin dy deri në tre muaj më vonë.

“Bretkosa me xhepa nuk është vetëm unike për biologjinë e saj të mrekullueshme të mbarështimit midis bretkosave australiane, por është gjithashtu unike midis bretkosave të botës”, ka thënë Michael Mahony, një nga studiuesit që zbuloi bretkosën.

“Janë vetëm katër nga katër mijë speciet në mbarë botën që kanë kujdes prindëror mashkullor ku mashkulli mbart të vegjlit në zhvillim”, ka shtuar ai.

Popullsia e vogël e bretkosave është e kufizuar në një sipërfaqe prej dy mijë hektarësh në malin Wollombin.

“The Guardian” shkruan se ajo është një nga tre speciet e reja australiane që studiuesit kanë përshkruar vitin e kaluar.

Sipas Mahony, bretkosa u zbulua teksa studiuesit po ekzaminonin bretkosat nga pesë zona të izoluara nga juglindja e Queensland deri në Dorrigo në veri, ku dihej se ndodheshin bretkosa të grumbulluara.

Kështu, testet gjenetike treguan se popullata Wollombin ishte një specie unike.

Bretkosa e zbuluar është një nga nëntë speciet e kërcënuara të bretkosave që studiuesit po studiojnë pas katastrofës së zjarrit të viteve 2019-2020.

Matt Kean, ministri i mjedisit, ka treguar se specia e re ishte quajtur Assa wollumbin.

Dhe se qeveria e kishte deklaruar habitatin e saj një pasuri me rëndësi ndër breza, një emërtim që u prezantua pas zjarreve të viteve 2019-2020 për vendet që kërkojnë mbrojtje të veçantë.

“Përmasat e vogla të popullsisë e bëjnë këtë bretkosë më të prekshme ndaj ndikimeve të ndryshimeve klimatike, kjo është arsyeja pse qeveria lëvizi shpejt për të mbrojtur habitatin e saj”, ka treguar Kean.

Ai ka shtuar se “do të zhvillohet një plan veprimi për të siguruar mbijetesën e kësaj specie magjepsëse, e cila ka jetuar e pazbuluar lart në pyllin e freskët”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore