Shqipëria

Zbardhet agjenda e presidentit Begaj në Kosovë


Të shtunën e 13 gushtit është zbardhur agjenda e vizitës së presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, në Kosovë.

Presidenca e Kosovës ka bërë me dije se më 15 gusht, në orën 10:00 udhëheqësja e këtij institucioni, Vjosa Osmani, do ta presë presidentin Begaj me ceremonitë më të larta shtetërore në sheshin “Ibrahim Rugova”, Prishtinë.

Pas ceremonisë së pritjes, Osmani do të zhvillojë një takim me homologun shqiptar si dhe në fund të takimit do të kenë deklaratë të përbashkët për media.

Kjo është vizita e parë e presidentit jashtë vendit që pas marrjes së detyrës disa javë më parë.

Ashtu siç është kthyer tashmë në traditën e krerëve të shtetit, Begaj zgjodhi Prishtinën si kryeqytetin e parë për vizitë zyrtare.

Po ashtu kryeparlamentari kosovar, Glauk Konjufca, do të presë Begajn në një takim zyrtar.

Presidenti shqiptar do të takohet në Prishtinë me krerët e shtetit dhe të politikës atje.

Bajram Begaj u betua të dielën e 24 korrikut si Presidenti i ri i Republikës së Shqipërisë.

Kuvendi e zyrtarizoi emërimin e tij më 4 qershor si President i vendit.

Edhe pse mungonte pjesa më e madhe e opozitës në sallën e parlamentit, Begaj arriti të siguronte 78 vota pro – 4 kundër.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore