Shqipëria

Zbardhen detaje nga atentati në Vaun e Dejës, vëllezërit Prendi shpallen në kërkim


Policia e Shkodrës ka zbardhur detaje të reja lidhur me një atentat ndodhur mbrëmjen e 23 gushtit në fshatin Rranca të Vaut të Dejës, ku edhe ka shpallur në kërkim dy vëllezërit Prendi, si edhe një person të tretë, si autorë të dyshuar të ngjarjes.

Mendohet se njëri prej tyre ka qëlluar nga një motor me automatik kallashnikov në drejtim të mjetit të blinduar tip Audi, ndërsa të tjerët kanë qenë në një mjet tip BMW, që është sekuestruar nga Policia.

Mjeti tip BMW është i dëmtuar edhe ai nga plumbat, duke ngritur dyshime se ka pasur shkëmbim zjarri.

Ndërkohë është ende e paqartë se kush janë personat që ndodheshin në mjetin e blinduar të cilët pasi janë gjendur përballë kësaj prite me armë zjarri, dyshohet se janë kundërpërgjigjur. Automjeti tip Audi që u qëllua ka qenë në ecje e sipër dhe dyshohet se personat që ndodheshin brenda po shkonin tek vëllezërit Prendi për një konflikt të dyshuar mes tyre por janë pritur me armë zjarri.

Policia ka ushtruar kontrolle në banesën e vëllezërve Prendi në Rranxa por nuk i kanë gjetur aty dhe është bërë shpallja e tyre në kërkim. Personat e ndodhur në automjetin tip Audi dyshohet se janë larguar me një makinë tjetër e cila ishte në mbështetje të tyre. Policia ka mbledhur kamerat e sigurisë në zonën përreth duke bërë të mundur identifikimin e autorëve të dyshuar dhe sekuestrimin e automjetit tip BMW.

Efektivët vijojnë punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore