Kulturë

Zanafilla e lëvizjes “Black is Beautiful” (E zeza është e bukur)


Historia se si një fotograf, një grup modelesh dhe një shfaqje mode në Harlem të New York nisën një lëvizje kulturore dhe politike që frymëzon edhe sot.

Më 28 Janar 1962 u formua një turmë e madhe jashtë klubit të natës “Purple Manor” në lagjen Harlem të New York. Zhvillohej një shfaqje mode e cila, meqë u bë shumë e famshme, duhej të mbahej për herë të dytë po atë natë.

Kjo ngjarje i dha nismën një lëvizjeje që do të ndryshonte mënyrën e përfaqësimit të njerëzve me ngjyrë përgjithmonë.

Shfaqja e titulluar “Naturally ’62” u organizua nga një shoqatë afrikane me emrin “African Jazz-Art Society & Studios (AJASS)” – një grup individësh kreativ – përfshirë fotografin Kwame Brathwaite dhe vëllain e tij Elombe Brath.

Autoportret i Kwame Brathwaite, 1964, i cili ishte në krye të lëvizjes “Black is Beautiful”.

Në shfaqje morën pjesë gra me ngjyrë të cilat kishin zgjedhur të mos iu përshtatnin standardeve të bukurisë perëndimore.

Modelet ecnin në pasarelë atë natë me flokët e tyre afrikane me krenari, me rroba të frymëzuara nga Lagos, Akra dhe Nairobi (qytete në Afrikë), dhe lëkura e tyre ishte më e errët dhe trupat e tyre ishin më të plotë se gratë në revistat e modës, përfshirë këtu edhe botimet afro-amerikane.

Kjo shfaqje e modës nuk kishte të bënte vetëm me paraqitjen fizike. Megjithatë, i dha fillim lëvizjes “Black is Beautiful” që shtrihej në vitet e 60-ta dhe 70-ta.

Ndërsa, tani është emri i një ekspozite të veprës së Brathwaite, e cila momentalisht është e ekspozuar në “Columbia Museum of Art” në South Carolina.

Në atë kohë, Brathwaite njihej si ‘koleksionues i fotografive’. Në fotografitë e tij të shumta kishte të rinj me ngjyrë ku dëshmohej rrugëtimi i tyre.

Ky portret i gruas së fotografit, Sikolo Brathwaite, shfaqet në ekspozitën "Black is Beautiful"
Portret i gruas së fotografit, Sikolo Brathwaite, që shfaqet në ekspozitën “Black is Beautiful”.

Ishin këto fotografi që e çuan lëvizjen të fitojë më shumë popullaritet – dhe këto fotografi na ndihmojnë të kuptojmë tani se çfarë ndodhte atëherë.

Për Brathwaite dhe miqtë e tij, veshja ishte përdorur gjithmonë për të transmetuar një mesazh më të madh.

Njerëzit e përfshirë në lëvizjen “Black is Beautiful” dëshironin që gratë dhe burrat me ngjyrë të ndiheshin të fuqishëm si brenda ashtu edhe jashtë, si dhe ata përcillnin mësimet e Marcus Garvey.

Garvey ishte një aktivist politik në fillim të shekullit 20, i cili loboi për çlirimin e njerëzve me ngjyrë përmes mbështetjes ekonomike në komunitet.

“Ato ishin gra të komunitetit. Ishin shkrimtare, stiliste, edukatore që përqafonin idetë e Garveyism që nga fillimi”, ka thënë djali i Brathwaite, Kwame Brathwaite Jr, i cili ka arkivuar imazhet e babait të tij për gjashtë vjet.

“Në libër, ka imazhe në të cilat shihet një tabelë që thotë “buy black” (blej zi). Kjo ishte pjesë e leksikut të mesazhit që përçonin”.

Termi “black” ishte gjithashtu një term progresiv në atë kohë, pasi ‘me ngjyrë’ dhe ‘negro’ përdoreshin ende gjerësisht për t’iu referuar afro-amerikanëve.

Modelet e Grandassa, New York, 1967, fotografuar nga Kwame Brathwaite
Modelet e Grandassa, New York, 1967, fotografuar nga Kwame Brathwaite.

Sot, bukuria dhe stili “black” eksplorohet gjerësisht nga fotografët me ngjyrë. Në librin “The New Black Vanguard” nxjerr në pah 15 fotografë bashkëkohorë me ngjyrë të cilët përpiqen ta bëjnë industrinë më gjithëpërfshirëse.

“Një nga karakteristikat përcaktuese është se këtyre fotografëve nuk u interesojnë domosdoshmërisht ndarjet që kanë dominuar historinë e fotografisë, dhe veshjet ofrojnë një mundësi për të krijuar dhe shprehur jo vetëm identitetin, por edhe një pozicionim”, thotë autori i librit, Antwaun Sargent.

Puna e fotografit bashkëkohor Adrienne Raquel që paraqitet në librin "The New Black Vanguard".
Puna e fotografit bashkëkohor Adrienne Raquel që paraqitet në librin “The New Black Vanguard”.

Sipërmarrësit me ngjyrë gjithashtu vazhdojnë të frymëzohen nga lëvizja “Black is Beautiful”.

Vitin e kaluar, Rihanna përmendi Kwame si një frymëzim për koleksionin e parë të markës së saj “Fenty”. Ajo ka shpërndarë një fotografi në të cilën shihet një shenjë “buy black”.

Imazhet e Brathwaite kanë frymëzuar shumë për të parë dhe fotografuar veten të lirë nga pritjet perëndimore. Kwame Jr beson se puna e babait të tij do të vazhdojë të frymëzojë njerëzit, me ç’rast kishte thënë se takimet e tij dhe historitë që i janë thënë e bëjnë të vështirë të mendojë ndryshe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore