“Zajendica nuk kalon”: Aktivistët e PSD-së ia ndërpresin fjalimin kryeministrit Kurti

Pamja e Ekranit

Armat Matoshi
16.11.2023 20:02
Loading Icons...

Një aktiviste e Partisë Socialdemokrate (PSD) ka ndërhyrë të enjten në një tubim duke ia ndërprerë fjalimin kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, derisa ka lëshuar në zmadhues një fjalim të udhëheqësit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), ku dëgjohet duke e kundërshtuar ashpër Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

Aksionin e ka shpërndarë kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj, i cili, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në “Facebook” të enjten, ka konsideruar se kryeministrit Kurti i pengojnë parullat që tregojnë të vërtetën e pushtetit të tij dhe LVV-së, derisa në video shihen edhe truprojet e kreut të ekzekutivit duke tërhequr zvarrë aktivisten.

Ai po ashtu ka njoftuar se aktivistja e këtij subjeti politik, Donjeta Demolli, pas ngjarjes është arrestuar nga Policia e Kosovës. Këtë arrestim kryetari i PSD-së e ka cilësuar të papranueshëm, duke kërkuar edhe lirimin e menjëhershëm të aktivistes së PSD-së.

LVV-ja ka hedhur gaz lotsjellës në Kuvendin e Kosovës për hir të kauzës kundër Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, pa pasur asnjë kompetencë ekzekutive. Madje, gjatë kohës së gjatë të qëndrimit në opozitë e kanë shtrëmbëruar edhe emrin e tij kushtetues, duke e quajtur “Zajednicë” në serbisht. Tash të njëjtin e ka pranuar.

Aktivistët e PSD-së kanë paralajmëruar “përshkallëzim të aksioneve” kundër themelimit të këtij mekanizmi. Ditë më parë, ata kanë shpalosur një ‘flamur’ të improvizuar në përbërje prej dy yjeve dhe një pjese të territorit kosovar të ngjyrosur me ngjyrë të bardhë për të simbolizuar komunat e banuara me shumicë serbe.

Të fundit

Aktuale