Lajme

Zaev i gatshëm për dialog me Bullgarinë për zgjidhjen e problemeve identitare


Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ka paralajmëruar se është i gatshëm të udhëtoj për në Sofje të Bullgarisë që të takohet me homologun e tij për të gjetur një zgjidhje rreth kontestit që kanë me shtetin fqinjë bullgar.

Këtë hap ai është i gatshëm ta ndërmarr vetëm e vetëm që të hapet rruga rreth negociatave me Bashkimin Evropian.

Pavarësisht se kontesti mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë është bilateral, Zaev ka deklaruar se përshëndet çdo vend mik që mund të kontribuoj në një zgjidhje të pranueshme për të dyja vendet.

Këto deklarime i ka bërë para mediave maqedonase përcjell AlsatM.

“Shpresoj se do të kemi takim edhe me kryeministrin e Bullgarisë, është e mundshme që takimi të ndodh në Sofje. Unë kam thënë se nuk ka paragjykime, kjo është çështje bilaterale, miqtë mund të na ndihmojnë, mund të japin ide, mund të na inkurajojnë, edhe ne edhe palën bullgare, por është çështje bilaterale dhe duhet të takohemi”, ka deklaruar ai.

Zaev ka shtuar se ministrat e punëve të jashtme të të dyja vendeve kanë një komunikim, por që kryeministri bullgar ka dhënë dritën jeshile për një takim në nivel kryeministrash.

“E di që ministrat për punë të jashtme kanë komunikim. Ka shprehur dëshirë edhe kryetari i qeverisë bullgare, Stefan Janev se takimi është i mirëseardhur. Unë jam i gatshëm që të shkoj në Sofje që të lutem për zgjidhje, në bazë pragmatike duke e ditur se askush nuk dëshiron të shkel mbi identitetin dhe gjuhën tonë, dhe kështu do të jetë. Por gjithsesi se zgjidhjen duhet ta gjejmë ne të dyja vendet”, ka deklaruar Zaev

Albanian Post ka realizuar një dokumentar lidhur me problemin trashëgimin kulturore dhe identitare mes dy vendeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore