Shqipëria

Zâ Fest zbret në qytetin e Shkodrës për të frymëzuar të ardhmen


Zâ Fest lindi mes maleve për të ndarë me publikun magjinë e zonës së Thethit.

Shkodra është sërish kryefjala e këtij edicioni, por kësaj here jo në male. Në qytet.

Oborri i shtëpisë së familjes së Doktor Frederik Shirokës dhe Kalaja Rozafa janë vendtakimet e këtij edicioni të radhës.

28 korriku do të mirëpresë në oborrin e familjes së doktor Frederik Shirokës Jeton Neziraj, Arben Bajraktaraj dhe Linda Ruka.

Ditën tjetër, më 29, do të performojnë te Kalaja e Rozafës Lylit, Elina Duni, Vlashent Sata dhe DJ Amor Del Rey.

Kurse më 30, sërish te kalaja, do të jenë Cristiana Verardo, Las Migas, Jerico dhe DJ Bijat.

Zâ Fest lindi me synimin për të promovuar vlerat e Shqipërisë, përmes muzikës, artit të angazhuar, mbështetjes në traditë dhe mbrojtjes së mjedisit.

Një përpjekje për të frymëzuar të ardhmen, jo vetëm nga përmbajtja artistike që ofrohet prej artistëve pjesëmarrës, hapësirat e zgjedhura për të mbajtur veprimtaritë, por edhe diskutimeve të lira të figurave frymëzuese e me ndikim në popullsinë vendase.

E gjitha nisi në vitin 2017 nga kantautori Vlashent Sata, frymëzuar nga kultura dhe e bukura, nga origjina e vendit tonë, për t’u kthyer në një traditë kulturore të Shqipërisë.

Për të rizgjuar kulturën si formë prezantimi dhe vënien në pah të modeleve me vlerë për të rinjtë.

Prandaj dhe mban këtë emër. Disa nga pikat më të forta të festivalit janë muzika, legjendat dhe gojëdhënat.

Zâ Fest synon të jetë një festival jo vetëm për muzikën dhe artin e fjalës, por edhe baletin kontemporan, teatrin, filmin…

Këtë, për të patur ndikim pozitiv në zonën ku zhvillohet. Nëpërmjet nxitjes së turizmit, mbrojtjes së natyrës, stimulimin e meditimit dhe sporteve në natyrë.

Çka i bën bashkë si banorët vendas edhe vizitorët, si një shtëpi e të gjithëve, ku nis biseda, këmbehen përvoja dhe ndërtohet e ardhmja.

Përgjatë pesë viteve ka arritur të kthejë vëmendjen e publikut drejt disa prej pikave më interesante të veriut të Shqipërisë, duke i kthyer ato në pikëtakime të kulturave të ndryshme që komunikojnë me anë të artit, si gjuhë universale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore