Sport

Ylli ukrainas kundër ish-shokut të tij: Nuk ka reaguar për luftën, si fle natën?!


Ka më shumë se një muaj që njerëzit në Ukrainë janë duke vuajtur nga agresioni i ushtrisë së Rusisë në territorin e tyre.

Një luftë, e cila është dënuar ashpërsisht nga shtetet perëndimore, si dhe Amerika, ndërkohë që pas nuk mbetet edhe bota e futbollit e cila ka dënuar aktet e dhunës në Ukrainë, duke sanksionuar klubet dhe ekipin kombëtar të Rusisë.

Shumë lojtarë me famë dhe me ndikim janë shprehur kundër Rusisë, me ukrainasit që janë treguar mirënjohës për mbështetjen e tyre.

Por, një nga yjet e kombëtares së Ukrainës, Andriy Yarmolenko, i cili është pjesë e skuadrës angelze, West Ham United, ka sjellë në memorie se si një ukrainas dhe që dikur ka qenë idhulli i tij, nuk ka reaguar ende për luftën dhe nuk ka thënë asgjë kundër presidentit të atij vendi, Vladimir Putin.

Fjala është për ish-futbollistin e Bayern Munich-ut, Anatoliy Tymoshchuk, i cili po punon në Rusi te skuadra e Zenit-it ku mban pozitën e asistentit të trajnerit Sergei Semak, i cili përkundër se në vendin e tij po bëhet luftë, ende qëndron në Rusi.

Së fundmi, Yarmolenko ka treguar se ka komunikuar në telefon me Tymoshchuk-un, ndërsa kanë përdorur edhe fjalë të rënda ndaj njëri-tjetrit.

“E pyeta se si arrin të flejë gjatë natës. Ai më tha se nuk fle fare”, tregon futbollisti i West Ham-it se çka i tha Tymoshchuk-ut.

“I kam thënë që ka qenë një idhull për mua, ka qenë një model të cilin kam dashur ta ndjek, ndërsa tashmë ai është një hiç. Më është përgjigjur me fjalor banal, ndërsa edhe unë ia ktheva në të njëjtën formë”, tregon Yarmolenko.

Kujtojmë që Yarmolenko dhe Tymoshchuk kanë luajtur së bashku për shtatë vite në kombëtaren e Ukrainës.

Tymoshchuk është futbollisti, i cili ka më së shumti paraqitje me Kombëtaren e Ukrainës, me 144 sosh, ndërsa Yarmolenko ka 106 ndeshje zyrtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore