Sport

Ylli i klubit spanjoll zgjedh ta përfaqësojë kombëtaren e tij – “Koha të lumturoj familjen”


Futbollisti i Athletic Bilbao-s, Inaki Williams, më në fund ka zgjedhur që ta përfaqësojë kombëtaren e tij, Ganën.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Williams, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale ka gëzuar gjithë kombin ganez.

“Ndjej se ka ardhur koha për të gjetur origjinën ganeze brenda meje, që do të thotë shumë për mua dhe familjen time”, tha Williams.

“Dua të kthej një pjesë të vogël të gjithçkaje që më ka dhënë, Gana ka luajtur një rol të rëndësishëm për t’u bërë ky që jam sot si person, si djalë dhe si vëlla”, shtoi sulmuesi i Bilbao-s.

“Sot fillon një sfidë e re. Që tani e tutje do mbroj fanellën e Ganës me gjithë vullnetin tim, do jap maksimumin”, thuhet në postimin e ganezit.

28-vjeçarit i erdhi një ftesë nga kombëtarja e Spanjës në vitin 2016 për të luajtur miqësoren ndaj Bosnjës, por vetëm kaq, askush nuk u kujtua më për të tek iberikët.

Williams gjithashtu do të ketë mundësinë t’i tregojë vlerat e tij në Kupën e Botës, ku Gana gjendet në Grupin H së bashku me Portugalinë, Uruguain dhe Korenë e Jugut.

Kujtojmë që Williams prej vitesh zhvillon paraqitje të mira me fanellën e klubit bask.

Inaki Williams

Ai deri më tani numëron 96 gola dhe 53 asistime në 272 ndeshje në të gjitha garat me fanellën e Bilbao-s.

28 vjeçari gjithashtu mban një rekord të veçantë në La Liga. Është i vetmi lojtar që ka luajtur në 230 ndeshje radhazi në kampionatin spanjoll pa munguar në asnjë ndeshje.

Pra, ai nuk pati asnjë dëmtim, apo pezullim, gjë që nuk kishte ndodhur asnjëherë në La Liga, që një futbollist të mos mungojë për kaq shumë ndeshje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore