Protestues të zemëruar kanë sulmuar Pallatin Presidencial, në Yemen. Demonstruesit, mes zemërimit të publikut për mungesën e shërbimeve, kushtet e këqija të jetesës dhe zhvlerësimin e monedhës vendase, sulmuan pallatin.
Mediat lokale shprehen se protestuesit nuk gjetën rezistencë nga forcat besnike të Këshillit të Përkohshëm Jugor, të mbështetur nga Emiratet e Bashkuara Arabe (STC).
Sipas informacioneve paraprake protestuesit janë anëtarë të forcave të sigurimit kombëtar të cilët nuk janë paguar për nëntë muaj.
Kryeministri i Yemenit, Maeen Abdulmalik dhe anëtarët e tjerë të qeverisë së njohur ndërkombëtarisht janë akoma brenda ndërtesës.
Menjëherë pas incidentit, një burim qeveritar tha se shefi i policisë së Adenit, gjenerali Mutaher al-Shuaibi, mbërriti në vendin e ngjarjes për të biseduar me protestuesit dhe për t’i bindur ata të largoheshin.
Pallati, të cilin qeveria e mbështetur nga OKB-ja e kishte marrë si selinë e saj, ruhet nga trupat saudite.
Forcat e lidhura me qeverinë e njohur ndërkombëtarisht të Yemenit qëlluan me armë në ajër, për të shpërndarë turmat ndërsa protestuesit dogjën goma makinash në rrugët aty pranë.
Lufta në Yemen
Yemeni është përfshirë nga dhuna dhe paqëndrueshmëria që nga viti 2014, kur rebelët Houthi pushtuan pjesën më të madhe të vendit, përfshirë kryeqytetin Sanaa. Prej asaj kohe, lufta mbizotëron në Yemen.
Lëvizja Houth-i, e njohur ndryshe si Ansarallah, është një lëvizje politike islamiste shiite, e armatosur dhe e mbështetur nga Irani, në Yemen. Grupimi ka për qëllim luftën kundër mos zhvillimit ekonomik të vendit dhe margjinalizimit politik.
Një qeveri e re e unitetit u formua vitin e kaluar nën një marrëveshje për ndarjen e pushtetit të ndërmjetësuar nga Riad-i. Ajo erdhi si në një përpjekje për t’i dhënë fund luftës për pushtet midis separatistëve STC, mbështetur nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe besnikëve të presidentit Abdrabbu Mansour Hadi, i cili mbështetet nga Arabia Saudite .
Qëllimi ishte bashkimi i të dy palëve në luftën kundër Houthis, të cilët kontrollojnë zonat veriore të vendit.