Pajisje

Xiaomi lufton me hetimet në tregun kryesor, Indinë


Kompania Xiaomi po përballet me probleme ligjore në Indi teksa një agjenci federale kundër krimit financiar dhe autoritetet tatimore hetojnë praktikat e saj të biznesit.

Paçka se Xiaomi e mohon keqbërjen.

Kohët e fundit, kompania ka qenë në titujt kryesorë me akuzat se drejtuesit e saj janë përballur me frikësimin nga zyrtarët indianë të zbatimit.

Çka ka tërhequr kundërshtime publike nga agjencia dhe mbështetje nga Kina.

Për çfarë bëhet fjalë?

Në Indi, agjencia për luftën kundër krimit financiar ka hetuar Xiaomi-n që nga shkurti.

Më 30 prill, agjencia ka zbuluar se prodhuesi i telefonave inteligjentë kishte transferuar ilegalisht fonde jashtë vendit te tre subjekte, duke përfshirë një nga një ent i grupit Xiaomi.

Këtë, “nën maskën e pagesave të honorarëve”.

Agjencia sekuestroi 725 milionë dollarë nga llogaritë bankare lokale të Xiaomi-t, por një gjykatë indiane e ka pezulluar vendimin pas një sfide ligjore nga Xiaomi.

Sipas kompanisë, pagesat e honorareve ishin të gjitha legjitime dhe ishin për “teknologjitë dhe IP-të e licencuara”, të përdorura në produktet e saj indiane.

Xiaomi, në dosjet gjyqësore, ka thënë se pagesa të tilla u janë bërë firmave dhe se zbulimet përkatëse u janë bërë autoriteteve indiane.

Nën kërcënim

Deklarata e Xiaomi-t në gjykatën indiane zbuloi se kompania kishte pretenduar se drejtuesit e saj më të lartë ishin përballur me kërcënime dhe detyrime nga Drejtoria e Zbatimit.

Ajo pretendon se agjentët indianë kanë marrë në pyetje disa herë nënpresidentin global, Manu Kumar Jain, si dhe shefin aktual financiar Sameer B.S. Rao.

Dhe se i ka paralajmëruar ata për “pasoja të rënda” nëse nuk dorëzonin deklarata sipas dëshirës së agjencisë.

Por agjencia i ka cilësuar këto deklarata “të pavërteta dhe të pabaza”.

Kontrolli i Kinës

Kompanitë kineze kanë luftuar për të bërë biznes në Indi që nga viti 2020, kur ndodhi një përplasje kufitare midis dy kombeve.

India ka përmendur shqetësimet e sigurisë në ndalimin e më shumë se 300 aplikacioneve kineze që atëherë dhe norma të forta për kompanitë kineze që investojnë në Indi.

Në Indi, zyrat dhe njësitë prodhuese të Xiaomi-t u bastisën në dhjetor në një hetim të veçantë në vazhdim mbi dyshimin për evazion të tatimit mbi të ardhurat.

Në një rast tjetër në janar, krahu i Inteligjencës së të Ardhurave të Indisë i kërkoi kompanisë të paguante 84.5 milionë dollarë për gjoja shmangie të disa taksave të importit.

Në dosjen e fundit gjyqësore, Xiaomi ka shprehur shqetësime kundër agjencisë, duke thënë se veprimi i saj “krijon një atmosferë mosbesimi dhe imazhi i vendit vuan në qarqet ndërkombëtare”.

Tregu kyç

Xiaomi shet edhe pajisje të tjera të teknologjisë, duke përfshirë orët inteligjente dhe televizorët.

Produktet e saj zënë goxha vend në tregun indian.

Megjithatë, është më e njohur për gamën e përballueshme të çmimeve të telefonave inteligjentë që e ka ndihmuar atë të rritet me shpejtësi në Indi.

Pjesa e saj e tregut është katërfishuar nga vetëm gjashtë për qind në vitin 2016 në 24 për qind vitin e kaluar, duke e bërë atë liderin e tregut indian.

Sakaq, numëron 1 mijë e 500 punonjës në Indi dhe siguron një burim të ardhurash për të paktën 52 mijë punëtorë të punësuar nga prodhuesit e saj të palëve të treta.

Marrë nga “Reuters”, përshtatur për “Albanian post”.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore