Lajme

Xi Jinping thekson “miqësinë e thellë” me Putin-in gjatë takimit në Pekin


Presidenti i Kinës Xi Jinping ka vlerësuar tregtinë rekord me Rusinë dhe ka theksuar “miqësinë e thellë” me homologun rus Vladimir Putin.

Këtë, teksa të dy udhëheqësit u takuan në Pekin për të riafirmuar një partneritet që është afruar vazhdimisht që nga lufta në Ukrainë.

Xi i i ka thënë Putinit se tregtia vjetore dypalëshe midis vendeve të tyre kishte arritur një rekord historik prej gati 200 miliardë dollarësh.

“Gjatë dekadës së kaluar, nga viti 2013 e deri më sot, kam pasur 42 takime me Presidentin, duke krijuar një marrëdhënie të fortë pune dhe miqësi të thellë”, ka thënë Xi.

Sakaq, Putini po e viziton Pekinin për herë të parë që kur urdhëroi pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit të kaluar.

Xi nuk e përmendi termin partneritet “pa kufij”, i cili u përdor për të përshkruar marrëdhënien gjatë vizitës së fundit të Putinit në Pekin në shkurt 2022, ditë përpara se ai të niste sulmin e Rusisë ndaj fqinjit të saj.

Xi gjithashtu nuk e përmendi dukshëm atë gjatë vizitës së tij në Moskë në mars, kur ai paralajmëroi Putinin pas dyerve të mbyllura kundër përdorimit të armëve bërthamore në Ukrainë.

Por lavdërimi i rinovuar i Xi për marrëdhëniet nuk do të bëjë asgjë për të përmirësuar lidhjet me BE-në, një nga partnerët më të mëdhenj tregtarë të Kinës.

Në një konferencë për shtyp pas takimit, Putin foli ngrohtësisht për marrëdhënien e tij me Xi dhe tha se ata kishin diskutuar tema konfidenciale.

Por edhe pse Putini premtoi se Rusia dhe Kina së shpejti do të nënshkruanin një plan veprimi “përmbajtësor” deri në vitin 2030, takimi dukej se kishte dhënë pak rezultate të prekshme për Moskën.

Ndërkohë, takimi mes tyre vjen pavarësisht paralajmërimeve të përsëritura nga zyrtarë të lartë të BE-së në javët e fundit, përfshirë kryediplomatin Josep Borrell, i cili vizitoi Pekinin javën e kaluar, se dështimi i Kinës për të dënuar pushtimin e Ukrainës po dëmton imazhin e saj në Evropë.

Kina ka balancuar skepticizmin privat në lidhje me perspektivat e Rusisë në Ukrainë me një armiqësi të përbashkët ndaj rendit politik dhe ekonomik të mbështetur nga SHBA.

Po ashtu të dy vendet po konvergojnë drejt një qëndrimi pro-palestinez ndaj operacioneve të Izraelit në Gaza, një çështje që po mbledh vendet në jugun global kundër mbështetjes perëndimore për Ukrainën.

Vendet perëndimore janë gjithashtu të shqetësuara se tregtia në rritje e Kinës me Rusinë po mbështet ekonominë e saj dhe po ndihmon në financimin e konfliktit në Ukrainë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore