Lajme

Xi akuzon Trudeau për rrjedhje informacioni në media për marrëdhëniet Kinë-Kanada


Presidenti Xi Jinping i Kinës është filmuar duke akuzuar kryeministrin kanadez Justin Trudeau për zbulimin e detajeve të takimit.

E gjitha disa ditë pasi ata zhvilluan bisedime në samitin e G20-s në Bali.

Presidenti Xi i ka thënë atij se kjo ishte e papërshtatshme dhe e ka akuzuar për mungesë “sinqeriteti”.

Ka të ngjarë që ai t’i jetë referuar raportimeve se Trudeau ka diskutuar spiunazhin e dyshuar kinez dhe ndërhyrjen në zgjedhjet kanadeze në mbledhje.

Bisedimet, të cilat u zhvilluan me dyer të mbyllura, ishin të parat e mbajtura prej tyre në vite.

Prej pamjeve, presidenti Xi dhe kryeministri Trudeau shihen duke qëndruar pranë njëri-tjetrit duke biseduar nëpërmjet një përkthyesi.

“Gjithçka që kemi diskutuar ka rrjedhur në gazeta dhe kjo nuk është e përshtatshme”, i ka thënë udhëheqësi kinez Trudeau-së.

Çka është një moment i rrallë i Presidentit Xi, imazhi i të cilit kurohet me kujdes nga media shtetërore kineze.

Pasi buzëqeshi dhe tundi kokën, kryeministri kanadez u përgjigj duke thënë se “në Kanada besojmë në dialogun e lirë, të hapur dhe të sinqertë dhe kjo është ajo që do të vazhdojmë të kemi”.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë në mënyrë konstruktive së bashku, por do të ketë gjëra për të cilat nuk pajtohemi”, ka shtuar ai.

Përpara se Trudeau të përfundonte, presidenti Xi ndërpreu bisedën me homologun e tij dhe kërkoi që ai së pari “të krijonte kushtet”. Dhe duke i shtrënguar dorën Trudeau, u larguar.

Shkëmbimi i shkurtër theksoi tensionet midis Kinës dhe Kanadasë, të larta që nga ndalimi i ekzekutivit të Huawei Technologies, Meng Wanzhou në vitin 2018.

Po ashtu edhe nga arrestimi i mëpasshëm i Pekinit të dy kanadezëve me akuza për spiunazh. Të tre u liruan më vonë.

Kohët e fundit, tensionet u rindezën pas arrestimit të Yuesheng Wang, një punonjës i shërbimeve publike në Hydro-Quebec, i cili u akuzua për spiunazh.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore