Sport

Xhaka kishte refuzuar vaksinimin, rezulton pozitiv me COVID-19


Kapiteni i Kombëtares së Zvicrës, Granit Xhaka, ka rezultuar pozitiv me COVID-19.

Ai doli pozitiv në testet e bëra në prag të ndeshjes miqësore që Zvicra e zhvilloi përballë Greqisë mbrëmjen e së mërkurës.

Xhaka fillimisht rezultoi negativ, por një test pasues PCR konfirmoi pozitivitetin e tij.

Ky rezultat ngriti pikëpyetjen nëse mesfushori i Arsenal-it ishte vaksinuar më parë, apo jo.

Sipas gazetës zvicerane “Blick”, zyrtari i mediave në Federatën e Futbollit të Zvicrës, ka thënë që Xhaka kishte refuzuar që të vaksinohet.

“Granit Xhaka nuk ishte vaksinuar. Ne ia lamë këtë vendim secilit lojtar, pra ishte vendim personal, si për çdo person tjetër në Zvicër. Ne kemi lëshuar një rekomandim që të gjithë të vaksinohen, por ai vendosi të mos e bënte vaksinën. Është e drejta e tij të mos vaksinohet. Ndërsa pjesa tjetër e ekipit janë vaksinuar”, ka thënë Adrian Arnold, shkruan gazeta Blick.

Xhaka tani është duke qëndruar i izoluar nga pjesa tjetër e kombëtares dhe është duke pritur që të bëjë një test tjetër PCR gjatë ditës së enjte.

Pas daljes së rezultateve, pritet një komunikatë e Federatës së Zvicrës, ku do të tregojnë nëse Xhaka do të jetë në dispozicion për dy ndeshjet e zjarrta në kualifikimet e Kupës së Botës.

Të dielën Zvicra do të përballet me Italinë në shtëpi, pastaj të mërkuren do të ballafaqohet me Irlandën e Veriut në udhëtim.

Zvicra momentalisht gjendet në vendin e dytë të Grupit C, me gjashtë pikë të grumbulluara, derisa në vendin e parë janë Italia më nëntë pikë, por me një ndeshje më shumë të zhvilluar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore