Shqipëria

Xhaçka zhvillon takimin e fundit zyrtar me ambasadoren Yuri Kim


Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri, Olta Xhaçka ka mirëpritur për herë të fundit në institucionin e diplomacisë shqiptare ambasadoren në largim të SHBA-ve, Yuri Kim.

“Mikprita sot Ambasadoren Yuri Kim në vizitën e saj të fundit si Ambasadore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri. Është e trishtueshme të shohësh një mike të mirë të largohet”, shkruan fillimisht kryediplomatja shqiptare në Twitter.

Zyrtarja shqiptare shprehu mirënjohjen nga ana e saj për punën e diplomates amerikane në “interesin më të mirë të Shqipërisë”.

“Kemi punuar shumë së bashku për avancimin e marrëdhënieve midis dy vendeve tona dhe i jemi mirënjohës Yurit që me zemër ka punuar për interesin më të mirë të Shqipërisë”, vijon Xhaçka.

Në përmbyllje, ministrja shqiptare e uroi ambasadoren amerikane në misionin e saj të ri.

“E sigurtë që rrugët tona do të kryqëzohen sërish në të ardhmen”, shkruan ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri, Olta Xhaçka.

Kujtojmë që, Yuri Kim do të marrë një detyrë me rëndësi të lartë nga Departamenti amerikan i Shtetit.

Ajo është caktuar në funksionin e zëvendës ndihmës sekretares kryesore për Çështjet Evropiane (dhe ushtruese e detyrës së ndihmës sekretarit derisa të konfirmohet Jim O’Brien), duke filluar nga 10 korriku.

Kim ndërkaq në Shqipëri pritet të zëvendësohet nga David Kostelançik në rolin e ambasadorit amerikan në Tiranë.

Yuri Kim, një diplomate karriere, ishte një figurë që Shqipëria nuk e njihte, por ajo e njihte mirë rajonin.

Mbi të gjitha, ajo do të bëhej një ndër zërat – në mos më – të fuqishëm në diplomacinë amerikane në Tiranë.

Kim kishte ushtruar detyra të ndryshme në Evropë, Azi dhe Lindje të Mesme.

Ndër to, edhe drejtoreshë e Çështjeve të Evropës Jugore, ku ka mbuluar Turqinë, Greqinë, Qipron dhe gjithë Mesdheun Lindor, apo drejtoreshë e Zyrës së Çështjeve Evropiane të Sigurisë dhe Politiko-Ushtarake.

Por, akoma më herët, Kim ishte edhe ndihmëse e posaçme e Sekretarit të Shtetit në SHBA, Colin Powell.

Pra, një e diplomuar në Filozofi nga Universiteti i Cambridge-it, të cilës, ekspertiza e pellgut ballkanik dhe mesdhetar, nuk i mungonte.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore