Shqipëria

Xhaçka takohet me homologen kanadeze për të forcuar koordinimin dypalësh


Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri, Olta Xhaçka është takuar me homologen kanadeze Melanie Joly ku është theksuar nevoja për të forcuar koordinimin dypalësh.

Kryediplomatja shqiptare vërejti gjatë një konference për media se u diskutua për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe forcimin e mëtejshëm të tyre në fusha me interes të përbashkët.

“Vizita e ministres kanadeze, shprehje e vullnetit për ta zhvilluar në mënyrë intensive bashkëpunimin tonë. 35 vite marrëdhënie diplomatike, relatat Shqipëri-Kanada kanë njohur rritje të vazhdueshme”, u shpreh fillimisht zyrtarja shqiptare.

Sipas saj, roli dhe kontributi i Kanadasë në arenën ndërkombëtare është rritur dukshëm, ku ministrja Joly ka kontribut të dorës së parë në intensifikimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Ndër të tjera, ministrja tregoi se palët diskutuan edhe për mundësitë për të rritur praninë dhe investimet kanadeze në Shqipëri.

“Vlerësova rëndësinë e riaktivizimit të Fondit Kanadez për Iniciativat Lokale për të mbështetur programe të ndryshme. Pjesë e diskutimeve ishte edhe Marrëveshja e Sigurimeve Shoqërore ndërmjet Shqipërisë dhe Kanadasë”, shtoi Xhaçka.

Kujtojmë që, autoritetet kanadeze përfunduan procedurat për ratifikimin e Marrëveshjes së Sigurimeve Shoqërore Kanada-Shqipëri në prill të vitit 2022.

Shefja e diplomacisë shqiptare theksoi gjithashtu se Shqipëria mirëpret një përfshirje më të madhe e më intensive të bizneseve kanadeze në ekonominë e saj.

“Shpresojmë të hapim një faqe të re në marrëdhëniet tona, duke intensifikuar marrëdhëniet bazuar në vlerat e përbashkëta. Qeveria shqiptare është e përkushtuar maksimalisht për ta çuar këtë marrëdhënie përpara”, garantoi ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri, Olta Xhaçka.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore