Xhaçka: Situata në Ukrainë kërkon përgjegjësi

SHFLETO
Rajmonda Basha
25.03.2022 15:22
Loading Icons...

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, në takimin e nivelit të lartë të ministrave të Jashtëm, u shpreh se situata në Ukrainë, më shumë sesa një dënim, kërkon përgjegjësi.

“Ne i detyrohemi për këtë popullit ukrainas, i cili, me rezistencën e tij heroike, ka fituar admirimin dhe respektin e botës duke qenë kryesori në mbajtjen e Rusisë përgjegjëse”.

Sipas saj, lufta dëmton objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe ato të Zhvillimit të Mijëvjeçarit.

“Përgjegjshmëria ka të bëjë mbi të gjitha me vendosjen në vend të së vërtetës. Edhe kur kjo e vërtetë mund të mos jetë e këndshme. Dhe e vërteta është se, për një kohë të gjatë, ne nuk arritëm të bëjmë Rusinë përgjegjëse”.

Xhaçka theksoi se rastin e Ukrainës, “e pamë disa vite më parë edhe në Siri, por shikuam nga ana tjetër”.

“Ne jemi këtu për shkak të zgjedhjeve të presidentit rus, Vladimir Putin, por edhe për shkak të vendimeve tona”.

Sipas kryediplomates, ishte një moment shumë i rëndësishëm kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë nuk gjeti asnjë provë substanciale për të vërtetuar justifikimin e Rusisë për luftë dhe e urdhëroi atë të pezullonte menjëherë operacionet e saj ushtarake në territorin e Ukrainës.

“Ndërkohë, në vetë Rusinë, do të bëhet gjithnjë e më e vështirë për regjimin që të mbulojë luftën kriminale në të cilën është përfshirë, ndërsa familjet ruse vajtojnë të dashurit e tyre që po humbasin jetën në një numër dramatik në një luftë, të cilën as ata nuk e besojnë”.

Ndër të tjera, ajo shtoi se jo vetëm Rusia si shtet, por edhe individët, nga ushtria e autoriteteve civile të përfshirë në këtë luftë, duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të përballen me pasojat e kësaj lufte.