Shqipëria

Xhaçka: Progresi i fondeve IPA, kompleks dhe i vonuar


Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, ka deklaruar në seancën plenare të së hënës, se progresi i marrjes së fondeve nga Instrumenti i Asistencës së Para-anëtarësimit (IPA), ka qenë shpesh i vonuar dhe jo i njëtrajtshëm.

“Kemi probleme në të gjitha fazat e zbatimeve të këtyre programeve duke filluar që nga identifikimi i këtyre nevojave, tek hartimi i projekteve dhe sidomos tek implementimi”, shprehet ajo.

Sipas Xhaçkës, vetë përfaqësuesit e Bashkimit Evropian (BE) e pranojnë që IPA është një program më kompleks dhe i vështirë, i cili ngarkohet me shumë burokraci. Ky program kërkon kapacitete dhe burime njerëzore shumë të avancuar në çdo nivel të qeverisjes vendore, për tu përthithur me sukses.

“Pak vende nga BE-ja kanë mundësi t’i kenë të plota dhe funksionalë këto burime”, deklaron Xhaçka

Ajo është shprehur se shpreson shumë që do të ketë një reflektim nga BE-ja për thjeshtëzimin e këtij instrumenti. Si dhe për ta lehtësuar nga pesha e burokracisë pa bërë asnjë kompromis me standardet.

Xhaçka shpjegon gjithashtu se ka një kosto totale prej gati 72 milion euro me një kontribut maksimal prej BE-së, 70 milion e 650 mijë euro. Fillimisht këto fonde ishin ndare mes programit për përfshirje sociale dhe atij për ekonomi qarkulluese.

Pas situatës së krijuar nga tërmeti i 26 nëntorit dhe pandemisë të Covid-19, këto fonde janë rialokuar duke u përqendruar plotësisht në programin e mbështetjes sociale.

Ajo ka shprehur mirënjohje ndaj BE-së, për mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë në integrimin Evropian si dhe në mbështetjen e reformave integruese të vendit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore