Shqipëria

Xhaçka nga Samiti i Bucha-s kujton imazhet e rënda të luftës në Kosovë dhe Bosnjë


Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, mori pjesë në Samitin e Bucha-s, një vit pas ngjarjeve mizore në këtë zonë të Ukrainës.

Gjatë video-mesazhit të saj, kryediplomatja shqiptare solli në vëmendje imazhet “shumë të ngjashme” me Bucha-n nga lufta në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në Kosovë.

“Ka kaluar plot një vit që nga dita që bota u trondit nga pamjet e para në Bucha. E mbaj mend shumë mirë dhimbjen dhe zemërimin që ndjeva kur i pashë ato pamje. Mendoj se si shumë njerëz të tjerë në botë, unë kisha jetuar me iluzionin se sa do Rusia të kishte sulmuar në mënyrë kriminale, ajo nuk do të arrinte në këtë nivel brutaliteti. Më kujtoi imazhet e rënda dhe shumë të ngjashme që vinin nga rajoni im, Ballkani Perëndimor, nga Bosnja dhe Hercegovina dhe nga Kosova, nga një luftë që shpresonim të ishte e fundit në Evropë”.

Sipas saj, fatkeqësisht Bucha ishte vetëm fillimi.

Në muajt që kur lufta ka filluar, shtoi Xhaçka, jemi bërë dëshmitarë të krimeve të pakuptueshme të kryera nga forcat ruse.

“Vrasje, tortura, rrëmbime, rrënime qytetesh, përdhunime. Ne jemi bërë dëshmitarë të veprimeve të një shteti që pretendon se po lufton nazizmin në Ukrainë, ndërkohë që ai po përfshihet në rrëmbime masive dhe trafikim të fëmijëve”, theksoi ajo.

Ministrja shqiptare rezervoi një thirrje për të gjithë komunitetin ndërkombëtar lidhur me mbështetjen ndaj Ukrainës dhe popullit të saj heroik.

“Është e lehtë të ndihesh i pafuqishëm përballë një brutaliteti të tillë. Të perceptosh se çfarëdo që të bësh ti, nuk do të mund ta ndalosh atë (dhunën). Por sigurisht që mosveprimi nuk është një opsion. Dhe këtu, ne të gjithë, mund të bëjmë më shumë. Të mbështesim Ukrainën dhe popullin e saj heroik që të mbrohen, derisa të fitojnë këtë luftë, është hapi i parë që duhet të hedhim dhe më i rëndësishmi”, garantoi Xhaçka.

Për kryediplomaten shqiptare, secili vend që e ka ndërmarrë këtë hap, duhet sot të ndihet krenar, sepse duke mbështetur Ukrainën, “ne në fakt po i rezistojmë idesë së një rendi botëror ku i më i fuqishmi ka gjithnjë të drejtë”.

Shqipëria si bashkë-penë-mbajtëse për Ukrainën së bashku me SHBA-të në Këshillin e Sigurimit, u bashkua sot plotësisht me Deklaratën e Bucha-s për të evidentuar përgjegjësinë për krimet më të rënda sipas ligjit ndërkombëtar të kryera në territorin e Ukrainës, për të kërkuar vënien para përgjegjësisë të Federatës Ruse.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore