Shqipëria

Xhaçka në ditën e KB-së: Shqipëria, rol të dorës së parë kundër agresionit rus


Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, deklaroi se Shqipëria ka marrë një rol të dorës së parë.

Kjo, në përpjekjet e mbështetura nga shumica dërrmuese e vendeve të globit për t’i dhënë fund agresionit (rus) e për të izoluar agresorin (Federatën Ruse).

Lajmi u bë i ditur gjatë video-mesazhit me rastin e ditës së Kombeve të Bashkuara.

Sipas kryediplomates, vendimi i diplomacisë shqiptare ka ardhur jo vetëm si gjëja e duhur për t’u bërë por edhe për të kontribuar krah aleatëve dhe partnerëve.

“Shqipëria ka marrë një rol të dorës së parë në përpjekjet e mbështetura nga shumica dërrmuese e vendeve të globit për t’i dhënë fund këtij agresioni e për të izoluar agresorin, jo thjesht sepse ne besojmë që kjo është gjëja e duhur për të bërë dhe që Ukraina meriton të gjithë mbështetjen tonë. Por edhe pse, ne besojmë, që përmes kësaj mbështetje ne jemi duke kontribuar krah aleatëve e partnerëve dhe pjesës dërrmuese të vendeve anëtare, për të ruajtur e konsoliduar rendin ndërkombëtar dhe rolin primar që OKB ka në garantimin e paqes, sigurisë e stabilitetit”.

Xhaçka u shpreh fillimisht se kjo është një ditë vërtet e rëndësishme për çdo qytetar të çdo vendi të globit.

Shqipëria, shtoi zyrtarja, është një vend që beson tek roli i jashtëzakonshëm i OKB-së.

Sakaq, vendi ynë mbetet i përkushtuar ndaj ruajtjes dhe forcimit të sistemit ndërkombëtar të bazuar tek rregullat.

“E kemi treguar këtë duke ju bashkuar e duke punuar seriozisht për nismat, objektivat e agjendat e OKB, por edhe duke mbështetur, jo vetëm politikisht, përpjekjet paqeruajtëse të OKB-së, duke ndihmuar me trupa, vëzhgues ushtarakë dhe policorë, si edhe fonde në buxhetin e posaçëm të operacioneve paqeruajtëse”, nënvizoi më tej ministrja.

Kryediplomatja e konsideroi si krenari faktin që Shqipëria mund të luajë një rol akoma më të madh në këtë drejtim gjatë mandatit të tij dy vjeçar në Këshillin e Sigurimit.

“Jemi krenarë, që po e luajmë këtë rol në një moment kur ky rend ndërkombëtar që ka garantuar paqen e sigurinë është nën kërcënimin më serioz që ai ka njohur që prej krijimit të OKB si pasojë e agresionit të paligjshëm rus kundër Ukrainës”, garantoi ajo.

Ky përvjetor, për Xhaçkën, merr një rëndësi akoma më të madhe.

“Sot më shumë se kurrë kombet duhet t’i qëndrojnë fort mbrojtjes të parimeve dhe vlerave Kombeve të Bashkuara dhe të multilateralizmit, sepse kështu do të mund sigurojmë të ardhmen dhe prosperitetin e brezave që do të vijnë”, ishte thirrja përmbyllëse e ministres shqiptare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore