Shqipëria

Xhaçka: Korridori 8 duhet të shërbejë si bosht i bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe RMV-së


Bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut është kthyer në një model të bashkëpunimit mes fqinjëve në rajonin tonë.

Kështu deklaroi ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka në takim me homologun e Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.

Ajo bëri me dije se kanë biseduar për intensifikimin e bashkëpunimit në disa fusha me interes të përbashkët.

“Korridori 8 duhet të shërbejë si boshti i bashkëpunimit e shkëmbimeve mes vendeve tona. Viti 2022 ka qenë historik për dy vendet tona dhe për gjithë rajonin në tërësi. Samiti i BE-BP në Tiranë është sinjal i qartë i ruajtjes së fokusit të BE ndaj rajonit tonë”.

Kujtojmë se ky korridor është konceptuar për të lehtësuar shkëmbimin e mallrave, njerëzve, naftës dhe furnizimeve me energji midis vendeve të BE-së, shteteve të Ballkanit që kanë dalje në Detin e Zi dhe Detin Kaspik dhe shteteve të Azisë Qendrore.

Ai lidh detin Adriatik me Detin e Zi. Trajektorja rrugore has dy pengesa malore, përkatësisht ajo ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe ajo midis Maqedonisë dhe Bullgarisë, të cilat gjenden në një terren të vështirë për t’u përshkuar.

Duke folur për integrimin, kryediplomatja shqiptare “inkurajoi aktorët politikë në RMV, që t’i përmbushin angazhimet për t’i hapur rrugë procesit”.

Gjithashtu nuk mungoi dhe një vlerësim nga ana e saj “ndaj rolit dhe kontributit të patjetërsueshëm të shqiptarëve në RMV”.

Sipas Xhaçkës, ata kanë dëshmuar se janë kontributorë të stabilitetit dhe zhvillimit të vendit.

Ajo ravijëzoi ndër të tjera se kanë diskutuar edhe për dialogun Kosovë-Serbi.

“Ne e mirëpritëm marrëveshjen e arritur në Ohër më 18 mars, edhe pse dokumenti nuk është nënshkruar prej tyre. Kjo marrëveshje do të kontribuojë në forcimin e stabilitetit në BP dhe perspektivën e tij euroatlantike”.

Nga ana tjetër, Osmani tha se bashkëpunimi ekonomik është i suksesshëm por i pamjaftueshëm.

Krahas takimit me homologun e saj, Xhaçka do të realizojë takim edhe me Presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, Kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi dhe zëvendëskryeministrin Artan Grubi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore