Shqipëria

Xhaçka i kthehet gjykimit në Parlament


Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e opozitës për heqjen e mandatit të deputetes Olta Xhaçka duke pushuar gjykimin.

Në arsyetimin e vendimit të Kushtetueses sqarohet se “më parë duhet të shprehet Kuvendi”, duke i dhënë të drejtë grupimit të Enkelejd Alibeajt.

Franci Nuri, përfaqësuesi ligjor i deputeteve të PD theksoi pas seancës së 18 janarit se nuk i takonte Kuvendit që të vendosë nëse ka shkelje apo jo.

“Nuk i takon Kuvendit te vendose nëse ka shkelje ose jo. Kuvendi ka shkelur hapur Kushtetutën. Në kushtet kur Kuvendi ka shkelur Kushtetutën, gjykojmë se deputetët nuk kishin asnjë mundësi tjetër vetëm t’i drejtoheshin Kushtetueses për të zgjidhur çështjen në themel”, shprehej Nuri.

Kështu, Partia Demokratike qëndronte e ndarë edhe sa i përket çështjes së Xhaçkës.

Të pranishëm në seancën e 18 janarit, ishin vetëm avokatët e palëve, ku fjalën i pari e ka marrë përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Marash Logu, i cili vijoi edhe me paraqitjen e kërkesës ndaj trupës gjyqësore.

Sipas Logut, rrëzimi i kërkesës së deputetëve nga ana e Kuvendit, është kundrejt kompetencave të veta, pasi vetë organi nuk ka përgjegjësi ligjore të bëjë interpretime. Për këtë arsye, ai ka kërkuar që gjykimi për mandatin e Xhaçkës, të bëhet që ditën e sotme.

Nga ana tjetër, ka qenë përfaqësuesi i Kuvendit, Erind Mërkuri, i cili ka thënë se deputetja nuk ka kryer veprimtari të tjera vetë dhe se ato (lidhur me investimin e të shoqit), i takojnë personave të tjerë.

Ndaj, për këtë arsye, aktiviteti i familjarëve si veprime të vetë deputetit nuk mund të llogariten e kësisoj, është kërkuar prej tij rrëzimi i kërkesës së demokratëve.

Ndërtimi i ngjarjes

Kërkesa erdhi nga 15 deputetë të opozitës për mocion “Për ndjekjen e procedurës parlamentare për konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit te mandatit të deputetes Olta Xhaçka”.

Më 1 korrik, Këshilli i Mandateve në Kuvendin e Shqipërisë u mblodh për të dytën herë për të shqyrtuar kërkesën e grupit të Partisë Demokratike për heqjen e mandatit të kryediplomates si deputete.

Në mbledhje u vendos që të thirrej ministrja Xhaçka për të dhënë qëndrimin e saj.

Kërkesa e deputetëve demokratë erdhi për faktin se një subjekt privat, të cilin e menaxhon bashkëshorti i Xhaçkës, ka marrë statusin e “investitorit strategjik”.

Kjo, për të zhvilluar një projekt në bregdetin e Himarës, duke marrë kështu pronën publike për 30 vjet.

Sipas tyre, ka pasur favorizime për shkak të detyrës që Xhaçka ka në kabinetin qeveritar.

Kujtojmë që Xhaçka e nisi karrierën politike në vitin 2009 si deputete e PS për Qarkun e Korçës.

Në mars të vitit 2017, ajo mori drejtimin e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë – post të cilin e mbajti për pesë muaj.

Më pas, po nga 2017-2021 mori drejtimin e Ministrisë së Mbrojtjes, duke zëvendësuar Mimi Kodhelin. Detyrën në krye të Mbrojtjes, Xhaçka e mbajti deri në janar të këtij viti.

Në fillim të vitit 2021, Xhaçkës iu besua Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, ku zëvendësoi Gent Cakajn.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore